Korçë/Zhvilohen takime sensibilizuese me nxënësit e disa shkollave

DVP Korçë/Vijojnë takimet informuese dhe sensibilizuese në shkolla.

Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për zbatimin e programit “Siguria e të rinjve”, shërbimet e Policisë kanë vijuar takimet sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut Korçë.

Takimet e radhës u zhvilluan nga ndihmësspecialistët e DVP Korçë për edukimin në shkolla, në bashkëpunim me stafet e shkollës së mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe shkollës “Nefail Rozani”, në fshatin Podgorie, Maliq.

Gjatë këtyre takimeve, ku morën pjesë edhe specialistë nga Sektori i Policisë Rrugore u bashkëbisedua me nxënësit e klasave të X-ta dhe të XI-ta, për sigurinë rrugore, rregullat e qarkullimit, njohjen dhe respektimin e sinjalistikës rrugore, aksidentet dhe pasojat e tyre etj.

Nxënësit kishin përgatitur disa punime të cilat i prezantuan gjatë takimit dhe u përfshinë aktivisht në diskutime, duke shfaqur interes, duke bërë pyetje dhe duke ndarë mendimet e tyre mbi temat e trajtuara.