Lushnjë/Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 19.05.2026, në tregun e fruta-perimeve, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku fillimisht u dyshua si ngjarje aksidentale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim një shtetas i dyshuar si autor i zjarrvënies, ndërsa vijon puna për identifikimin e një shtetasi tjetër të përfshirë në ngjarje.
Më datë 19.05.2026, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë është marrë njoftim se në tregun e fruta-perimeve të qytetit kishte rënë zjarr.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat, brenda pak orësh, bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa tezga dhe produkte në pronësi të disa tregtarëve.
Fillimisht u dyshua se zjarri ishte shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. Ç., banues në Durrës, i dyshuar si njëri prej autorëve të zjarrvënies.
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se shtetasi K. Ç. shfaqet pranë tregut së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndezur zjarrin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit K. Ç., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër që shfaqet në pamjet filmike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
