Strukturat e Policisë, krahas angazhimit për zbatimin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën edhe në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë.
Finalizohet operacioni policor “Ndalesa”, në vijim të disa operacioneve të njëpasnjëshme të realizuara muajt e kaluar, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Operacioni, nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, si dhe procedohet penalisht 1 tjetër.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u finalizua me suksese operacioni policor i koduar “Ndalesa”.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. K., 27 vjeç, banues në Sri Lanka, pasi në bazë të informacioneve që dispononte Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme për këtë shtetas, u kap në flagrancë në Rinas, duke tentuar të udhëtojë në Gjenevë, Zvicër, me një kartë identiteti franceze të falsifikuar.
Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 62 vjeç, banues në Londër, Angli, pasi dyshohet se ka ndihmuar shtetasin R. K., kundrejt përfitimit, duke i siguruar kartë identiteti franceze të falsifikuar.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”.