Tiranë/Zhvillohet në bashkëpunim me disa nxënës, fushatë ndërgjegjësimi për sigurinë rrugore

Tiranë

Në kuadër të edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri mbi rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, nga Seksioni i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Nr. 1 u zhvillua programi “Fushatë ndërgjegjësimi për Sigurinë Rrugore”.

Kjo nismë u realizua në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ku pjesë aktive u bënë nxënës të një klase të 6-të. Aktiviteti nuk u kufizua vetëm në shpjegime teorike, por u zhvillua edhe në terren, duke i dhënë fëmijëve mundësinë të shohin nga afër zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Të pajisur me jelekë sinjalizues, nxënësit dolën në rrugë së bashku me efektivët e policisë, duke përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve. Ata u njohën me mënyrën e kalimit të sigurt në vijat e bardha, rëndësinë e semaforëve dhe respektimin e sinjalistikës rrugore.

Përmes këtij programi, synohet jo vetëm rritja e njohurive të fëmijëve mbi sigurinë rrugore, por edhe krijimi i një kulture përgjegjësie që ata ta përcjellin më tej në familje dhe komunitet.

Policia e Tiranës mbetet e angazhuar në promovimin e sigurisë rrugore dhe në edukimin e qytetarëve, duke e konsideruar këtë një investim të rëndësishëm për jetën dhe mirëqenien e të gjithëve.