Tiranë/Zbulohen 2 lokale ku organizoheshin lojëra fati

Tiranë

Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.

Zbulohen 2 lokale të vëna në dispozicion të kësaj veprimtarie.

Arrestohet 1 shtetas, procedohet 1, shpallet në kërkim 1.

Sekuestrohen monitorë, tablet, skedina dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, konstatuan se në 2 lokale viheshin baste sportive, nëpërmjet celularëve ose kompjuterëve.

Për këtë veprimtari u arrestua shtetasi E. T., 49 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasja K. M., bashkëpronarë të një lokali në rrugën “Siri Kodra”, pasi gjatë kontrollit në këtë lokal, u gjet një tablet që përdorej për vënien e basteve sportive.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi D. L., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tij në rrugën “Jordan Misja”, u konstatuan televizorë dhe monitorë kompjuteri që shërbenin për organizimin e lojërave të fatit, si dhe fatura që dokumentojnë këtë veprimtari të kundërligjshme. Punohet për kapjen e shtetasit D. L.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.