Kombinat, Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.
Zbulohet një tjetër lokal në Kombinat, ku organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, përmes kompjuterëve dhe celularëve.
Arrestohen 2 shtetas, administratori dhe punonjësi i lokalit.
Sekuestrohen celularë dhe kompjuterë që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, evidentuan dhe goditën një tjetër rast të përshtatjes së ambienteve për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, përmes kompjuterëve dhe celularëve.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 28 vjeç dhe F. Gj., 30 vjeç, pasi në zonën e Kombinatit, në lokalin që administrohej nga 28-vjeçari, dhe ku ishte i punësuar shtetasi F. Gj., ishte përshtatur ambienti për vendosjen e basteve sportive në mënyrë të kundërligjshme.
U sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, celularë dhe kompjuterë që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

