Lezhë
Ndotën mjedisin, duke djegur sasi të madhe kabllosh, telash dhe gomash, në afërsi të lumit Mat, procedohen penalisht 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 furgonët me të cilët ishin transportuar mjetet dhe sasi të tyre.
Menjëherë pas njoftimit për ndotje të mjedisit, në fshatin Pllanë, në afërsi të lumit Mat, si pasojë e djegies së sasive të konsiderueshme kabllosh, telash elektrikë dhe gomash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasin/t përgjegjës.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, autorët e rastit, shtetasit E. M., 27 vjeç dhe R. D., 31 vjeç, të dy banues në Milot, u kapën në flagrancë duke djegur këto mjete, dhe për ta, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Lezhës apelon për qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, si dhe të njoftojnë menjëherë çdo rast të tillë të konstatuar, çdo ndotje të mjedisit dhe dëmtim të shëndetit, si dhe çdo paligjshmëri tjetër që hasin.
