Në zbatim të masave shtesë për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me ato të ushtrisë, vijojnë kontrollin e zbatimit të këtyre masave shtesë.
Në këtë kuadër, prej orës 06:00, deri në orën 12:00, janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm drejtuesish të mjeteve, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër.
Konkretisht, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë:
– në DVP Tiranë 171 drejtues mjetesh
– në DVP Durrës 77 drejtues mjetesh
– në DVP Fier 54 drejtues mjetesh
– në DVP Vlorë 53 drejtues mjetesh
– në DVP Lezhë 61 drejtues mjetesh
– në DVP Shkodër 45 drejtues mjetesh
– në DVP Elbasan 48 drejtues mjetesh.
Ndaj këtyre drejtuesve është vendosur kufizimi i lëvizjes, si dhe po kryhen veprimet administrative sipas parashikimeve të nenit 7, paragrafi 12 i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar).
76 drejtues mjetesh janë të shoqëruar në ambientet e Komisariateve të DVP-ve, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe po këtyre drejtueseve u janë bllokuar edhe automjetet.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të respektuar kufizimin e lëvizjes sipas njoftimit, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt cilido që do shkelë këto urdhra, do përballet me sanksionet ligjore.