Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 mars 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet një tjetër goditje e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Shkozeti” , ndjekur prej dy muajsh me metoda proaktive. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Sekuestrohen një sasi dozash marijuanë, municion luftarak, peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, targa automjetesh dhe aparate celular. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe në bazë të një hetimi dymujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shkozeti”, në kuadër të të cilit arrestuan  në flagrancë shtetasit Sh. H., 34 vjeç dhe E. H., 22 vjeç, banues në Durrës, të dy të dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Si dhe u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi I. H., banues në Durrës. Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të ushtruar në një magazinë në pronësi të shtetasve E. H.  dhe SH. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me marijuanë, 425 fishekë luftarak, një peshore elektronike, 2 palë targa, si dhe 4 aparate celular të markave të ndryshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajta pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Kurbin, Lezhë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Godull”. Goditet një tjetër rast i tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni, nga Drejtoria e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin. Sekuestrohet një gomone, lëndë narkotike e armë gjahu. Vihen në pranga 2 shtetas. Në përmbushje të një ndër prioriteteve kryesore, atij të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta trafikuar, punonjës të Policisë  Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe  me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Godull”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi shtetasve S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin dhe R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do  trafikonin lëndën  narkotike. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat  penale “Trafikim i  narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 të ndaluar.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Fier; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, në Fier.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 2 në Fier, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 4 raste, 3 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste aksidentesh në të gjithë territorin, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.