Kurbin, Lezhë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Godull”. 2 shtetas në pranga

Goditet një tjetër rast i tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Operacioni, nga Drejtoria e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.

Sekuestrohet një gomone, lëndë narkotike e armë gjahu.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Në përmbushje të një ndër prioriteteve kryesore, atij të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta trafikuar, punonjës të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të “Godull”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi shtetasve:

-S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin;

-R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë;

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.