Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë konferencës së nivelit të lartë, për Sigurinë Rrugore

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar kolegë,

Në fjalën time do të përqendrohem kryesisht në punën e bërë deri tani dhe në nevojën për të bërë ndryshimet e duhura ligjore, strukturore apo dhe të mënyrës së reagimit tonë, në funksion të parandalimit dhe të rritjes së sigurisë rrugore.

Shqipëria, duke ndjekur edhe trendin e uljes së numrit të aksidenteve me pasojë, në vendet e BE-së, ka bërë përparim të dukshëm në drejtim të uljes së numrit të të vrarëve gjatë vitit 2019, në raport me vitin 2018, por edhe në raport me vitin 2011, vit kur ka filluar implementimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore.

Numri i dëmtimeve fatale, vdekjeve dhe plagosjeve të rënda në rrugë, u zvogëlua me rreth 18% në vitin 2019, në raport me vitin 2018 dhe i njëjti trend në rënie është evidentuar edhe përgjatë të gjithë periudhës 2013 – 2019.

Në vendin tonë përdoruesit e rrezikuar të rrugës përbëjnë pothuajse dyfishin e të përfshirëve në aksidente rrugore, krahasuar me vendet e BE-së. Ndërkohë, që kësaj shifre duhet t’i shtohet edhe fakti i të dëmtuarve pasagjerë në autovetura, të cilët përbëjnë 22% të të përfshirëve në aksidente.

Një rol të rëndësishëm në uljen e numrit të aksidenteve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve gjatë viteve të fundit, kanë luajtur masat e marra në drejtim të forcimit të zbatimit të ligjit, të një kontrolli dhe mbulimi më të mirë të territorit nga ana e Policisë Rrugore, realizmi i vazhdueshëm i operacioneve të dedikuara TISPOL, me një objektiv të qartë për goditjen e një shkelje të caktuar njëherazi në të gjithë vendin, përdorimi me efektivitet i pajisjeve në dispozicion si drager, alkoolmatës etj.

Krahas këtyre masave, një rëndësi e veçantë i është kushtuar reduktimit të ndjeshëm të korrupsionit dhe uljes së ankesave të shtetasve, ku gjatë dy viteve të fundit është mundësuar arrestimi i rreth 106 personave, pasi kanë tentuar të korruptojnë punonjës të Policisë Rrugore.

Në këtë drejtim kanë ndikuar edhe marrja e një sërë masash si: përmirësimi i strukturës së Policisë Rrugore, ulja e moshës mesatare të kësaj trupe nën 40 vjeç me patrulla në lëvizje, forcimi i bashkëpunimit me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për një transport të sigurt për të gjithë për kontrollet në anë të rrugës, aksionet e ndërmarra për pastrimin e akseve rrugore etj.

Marrja e këtyre masave ka bërë të mundur që objektivat e vendosura në “Strategjinë e Sigurisë Rrugore 2011-2020”, në përgjithësi të realizohen.

Aktualisht janë hartuar projektet përkatëse për sistemin e radarëve automatike, po vazhdon përzgjedhja për rifreskimin e vazhdueshëm të trupës policore. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe pajisjes së strukturave të Policisë Rrugore me logjistikën e nevojshme, si edhe me motoçikleta apo automjete.

Në këtë kuadër është edhe pajisja e punonjësve të Policisë Rrugore me 250 sete (tableta dixhitale, printer dhe aksesorë), që është mundësuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke bërë që gjithë veprimet, që aktualisht bëhen manualisht nga punonjësit e Policisë Rrugore për plotësimin e masës administrative në bllokun e gjobës të hidhen në tabletë, përmes aplikacionit. Për këtë qëllim është bërë ndërtimi i aplikacionit dhe ndërlidhja me sistemit E-Gjoba dhe me E-Albania edhe për OASH – dixhitale.

Gjej rastin të shpreh falënderimet për Qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme, si edhe për të gjitha institucionet e tjera shtetërore për mbështetjen e vazhdueshme ofruar Policisë së Shtetit dhe në mënyrë të veçantë për mbështetjen e iniciativave për vënien në përdorim të strukturave policore risive në fushën e teknologjisë dhe informacionit, të cilat mundësojnë një shërbim më efikas ndaj qytetarëve dhe forcim të parametrave të sigurisë në vend.

Të nderuar pjesëmarrës,

Pavarësisht treguesve të mësipërm ne jemi të vetëdijshëm se puna e aktorëve kryesorë të monitorimit të sigurisë rrugore duhet të jetë më sfiduese, ku një rol jo të vogël ka Policia Rrugore.

Tashmë Policia e Shtetit po synon arritjen e objektivit për të përgjysmuar numrin e të vrarëve në aksidentet rrugore në vitin 2020 në krahasim me vitin 2010, që është objektiv i vendeve të BE-së, si dhe forcimin e mëtejshëm të parametrave të sigurisë rrugore. Treguesit e arritur për periudhën 2013-2019 na bën të jemi optimist në këtë drejtim.

Referuar ekspozesë së mësipërme dhe analizës së detajuar të aksidenteve rrugore, shkaqeve të ndodhjes së tyre, personave të përfshirë dhe masave administrative vjetore që vendos shërbimi i Policisë Rrugore ndaj kundërvajtësve, kemi evidentuar nevojën e ndryshimeve që duhet të bëhen Kodit Rrugor në kapituj dhe në nenet e tij sidomos tek “Normat e Sjelljes”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe në konsultime paraprake me grupe interesi në fushën e sigurisë rrugore ka evidentuar nevojën për ndërhyrje dhe modifikime të normave për t’i përafruar ato me normat e kodeve komunitare, për të forcuar në disa raste masat administrative për shkeljet qe kryhen më shpesh nga drejtues mjetesh dhe që rezultojnë me pasoja jetën e shtetasve.

Ndërhyrje propozohen edhe për përmirësime në procedurat administrative për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve dhe kundërvajtësit për një proces administrativ me të shpejtë, duke shfrytëzuar instrumentet dhe mekanizmat e botës së sotme dixhitale.

Shkurtimisht, do të doja të ndaloja të shpjegoja disa nga propozimet tona:

1. Parakalimi dhe përparësia (nenet 143 dhe 146 të Kodit Rrugor)

Rritet masa administrative dhe për përsëritësit dyfishohet masa administrative me gjobë dhe është parashikuar heqje pikesh.

2. Përdorimi i kaskës mbrojtëse” dhe “Përdorimi i rripave të sigurimit” (nenet 169 dhe 170)

Propozojmë një masë administrative shtesë për drejtuesin e mjetit ose motomjetit kur pasagjeret nuk kanë vendosur rripin e sigurimit ose nuk kanë vendosur kaskën mbrojtëse. Shërbimi i Policisë Rrugore ka evidentuar një rritje të numrit të pasagjerëve të vrarë në aksidente dhe të pasagjereve në motomjete të cilët janë identifikuar pa kaskë ose pa rripa sigurimi ne sediljet e pasme të autoveturave. Masa që propozojmë është pothuaj në të gjithë kodet rrugore të vendeve të BE-së.

3. “Sjellja agresive në rrugë”

Kur drejtuesi i mjetit në rrugët interubane kryesore dhe në autostradë “ushtron presion” apo “agresion rrugor” me sistemet e ndriçimit dhe nuk ruan distancën e sigurisë me mjetet përpara tij, duke vënë në rrezik përdoruesit e rrugës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë 10 – 20 mijë lekë dhe me heqje të 5 pikëve të lejes së drejtimit.

4. “Drejtimi i mjetit nën ndikimin e celularit” (Neni 171)

Modifikohet duke ndëshkuar cilido drejtues mjeti që mban në dorë celularin gjatë drejtimit të mjetit me 5 mije lekë. Cilido që flet ne celular me 10 mijë lekë dhe cilido që shkruan mesazhe me 150 mijë lekë. Për drejtuesit që përsërisin 3 herë brenda vitit shkeljen e mësipërme ka pezullim të leje drejtimit 3 muaj dhe heqje 10 pikë.

5. “Drejtimi i mjetit në ndikimin e alkoolit” (neni 184)

Rishkruhet dhe modifikohet:

Drejtuesit e mjeteve autoveturë me përqindje alkooli deri në 0,3gram/litër ndëshkohen administrativisht me gjobe 5-15 mijë lekë.

Drejtuesit e mjeteve autoveturë me përqindje alkooli në timon nga 0,3-0,5gram/litër ndëshkohen me masë 10-20 mijë lekë dhe pezullim leje drejtimi 3 – 6muaj dhe heqje 8 pikë.

Bëjnë përjashtim drejtuesit e mjeteve të shërbimit publik dhe të transporteve që kërkojnë certifikatë të aftësisë profesionale dhe drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi me pak se 3 vjet, për të cilët ndëshkimi është gjithmonë me pezullim të lejes së drejtimit.

Kur drejtuesi i mjetit konstatohet me pije alkoolike nga ora 19:00 deri në orën 06:00 ndëshkimi rritet 30% më shumë.

Kur drejtuesi i mjeti shkakton aksident dhe është në gjendje të dehur mbi 1,5 gram/litër propozohet të hiqet e gjithë sasia e pikëve dhe i hiqet leja e drejtimit.

6. Testi i “idiotit”

Për shkelje të rënda të normave të sjelljes të përsëritura gjatë drejtimit të mjetit, Policia Rrugore detyron drejtuesit e mjetit të kryejë një vizitë mjekësore jashtë radhë (test psikologjik) për të dëshmuar para një komisioni të specializuar lejimin e mbajtjes së leje drejtimit dhe të përdorimit të mëtejshëm të saj.

7. Ndryshimet në OASH:

Masat administrative me gjobë i vendos patrulla e Policisë Rrugore direkt në rrugë. Brenda strukturës së Policisë Rrugore do të shqyrtohen nga një organ administrativ vetëm rastet me ankesa të kundërvajtësve dhe jo të gjithë drejtuesit e ndëshkuar më mase mbi 5000 lekë ose dhe me sanksion plotësues sikundër ndodh aktualisht.

Ankesat tashmë do të shqyrtohet edhe online.

Ankesa do të mund të shqyrtohet edhe në vendbanimin e drejtuesit të mjetit ose aty ku ka kryer kundërvajtjen drejtuesi dhe ku ai adreson ankesën.

8. MBESHTETJA PËR SIGURINË RRUGORE:

Shoqëritë e sigurimeve, për prezencën në rrugë, aktivitetin parandalues të aksidenteve rrugore me dëme materiale dhe ato me pasojë, për të mbështetur Policinë Rrugore, Shërbimin Zjarrfikës (PMNZSH) dhe Shërbimin Kombëtar të Urgjencave Mjekësore krijojnë dhe financojnë nëpërmjet “fondit të parandalimit të sigurisë rrugore” në masën 5% të totalit vjetor të policave TPL të sigurimit të detyrueshëm. Modalitetet e krijimit të këtij fondi propozohet të vendosen ne ligjin për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve.

Me akte të tjera do të rregullohen modalitetet në vijim.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në përfundim të fjalës time, dëshiroj t’ju garantoj se Policia e Shtetit do të vijojë angazhimin dhe përpjekjet e saj maksimale për përmbushjen e misionit dhe objektivave të vendosur për ofrimin e sigurisë maksimale për qytetarët, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave, menaxhimit të integruar të kufijve dhe rritjes së parametrave të sigurisë rrugore.

Ju faleminderit!