Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Durrës – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga një 43-vjeçar. Në pranga edhe një 28-vjeçar, për moskallëzim krimi. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasit: R. F., 43 vjeç dhe S. H., 28 vjeç, të dy banues në Manzë, Durrës. Arrestimi i tyre u bë pasi Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit S. H., në sediljen e pasagjerit ku ndodhej shtetasi R. F., në një çantë dore, Policia gjeti  dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Beretta” dhe 23 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 248 shtetas, konkretisht: 79 janë arrestuar, 14 janë ndaluar dhe 155 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 12 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 33 raste, 7 raste me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 26 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 7 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 18 raste, me 23 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të “Organizmi i lotarive të palejuara”, me 15 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të armëmbajtjes pa leje, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 10 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 21 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 17 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.