Kapet në flagrancë 20-vjecari, i cili po planifikonte të vidhte me armë në një market, në Laknas.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, kapjen dhe arrestimin e personave që tentojnë të kryejnë vjedhje me dhunë e armë, në orët e mbrëmjes së datës 13.02.2020, Seksioni i Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë ka marrë informacion në rrugë operative se në Laknas, një shtetas 20-vjeçar qarkullonte në orët e pasdites, me biçikletë, duke mbajtur me vete një çantë shpine, brenda së cilës dyshohej se mund të kishte armë zjarri.
Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Laknasi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe identifikimin e shtetasit të dyshuar, i cili qarkullonte me një biçikletë dhe në çantën e shpinës kishte një armë zjarri kallashnikov. Në momentet që ky shtetas po përgatitej të hynte në një market në Laknas, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke e prangosur në flagrancë shtetasin K. K., 20 vjeç, banues në Laknas.
Gjatë kontrollit fizik atij i është gjetur në çantën e shpinës, një automatik model 56, me një krehër me 17 fishekë.
Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi dyshohet se ky shtetas mund të jetë autor edhe i disa tentativave të tjera për vjedhje me armë, të ndodhura më parë në Tiranë.
Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.