Raporti i ngjarjeve, 13 gusht 2025

Krujë
Dogji ullishtet e fqinjëve, si pasojë e konflikteve me ta, për motive pronësie, arrestohet 19-vjeçari.
I arrestuari, shtetas me precedent kriminal, aktualisht me masë sigurisë “Arrest në shtëpi”, për kultivim të bimëve narkotike.
Menjëherë pas njoftimit për një rast zjarrvënieje në fshatin Barkanesh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë filluan hetimet me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen e autorit, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi E. D., 19 vjeç, banues në këtë fshat.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se ai ka ndezur zjarr në fshatin Barkanesh, si pasojë e konflikteve me fqinjët, për motive pronësie. Nga përhapja e flakëve në territorin e fshatit, janë djegur sipërfaqe toke të konsiderueshme, të mbjella me ullinj.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se aktualisht shtetasi E. D. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Vlorë
Goditet një rast i shfrytëzimit të shtetaseve të huaja për prostitucion.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një shtetase kineze, e dyshuar si organizatore e veprimtarisë kriminale.
Zbulohet apartamenti ku ushtrohej prostitucioni, procedohen penalisht 2 shtetase të tjera të huaja që ushtronin këtë veprimtari kundrejt pagesës.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shfrytëzimit të prostitucionit, bazuar edhe në informacionet e siguruara, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në një apartament të marrë me qira në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast:
•u shpall në kërkim shtetasja kineze M. Y., 36 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”;
•u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset kineze Q. Zh., 49 vjeçe, dhe X. L., 42 vjeçe, të dyshuara për veprën penale “Ushtrimi i prostitucionit”, pasi ushtronin këtë veprimtari kundrejt pagesës;
•u proceduan penalisht edhe shtetasi A. D., 38 vjeç, dhe shtetasi italian M. F., 25 vjeç, pasi u konstatuan në ambientet ku ushtrohej prostitucioni, në rolin e klientëve.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier/Punë intensive hetimore dhe operacionale, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve.
Identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas që ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë.
Autori i zjarrvënies në Lushnjë gjithashtu pengoi zjarrfikësit, gjatë punës për shuarjen e zjarrit.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.
Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Lezhë
Pengoi qarkullimin, duke parkuar automjetin në një zonë me fluks lëvizjeje, procedohet penalisht.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një rast të tillë në rrugën “Luigj Gurakuqi”.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin T. P., 29 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, për të mos penguar lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve. Shkeljet do të trajtohen me masa të menjëhershme penale dhe administrative.
DVP Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit D. Sh., 32 vjeç dhe S. K., 35 vjeç, pasi dyshohet se kanë dhunuar përkatësisht bashkëshortin e motrës së tij dhe bashkëshorten e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-I. N., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me përforcues grushti, një 35-vjeçar;
-L. Sh., 61 vjeçe, banuese në Durrës, sepse si pasojë e zjarrit që dyshohet se ka ndezur në oborrin e banesës së saj, për të djegur mbeturina, janë djegur një sipërfaqe toke dhe një kasolle.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ambientet e jashtme të banesës së shtetasit I. Gj., 66 vjeç, në lagjen nr. 14, është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. Gj., 44 vjeç, banues në fshatin Pishë Poro, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që e drejtonte në gjendje të dehur dhe është rrëzuar. Si pasojë shtetasi M. Gj. është dëmtuar dhe është në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. T. dhe D. Y., të dy banues në Patos, pasi dyshohet se kanë zënë në kundërshtim me ligjin, një hapësirë në katin e parë të pallatit ku banojnë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. Ç., 65 vjeç, banues në fshatin Karbunarë të Madhe, pasi dyshohet se ka kundërshtuar ekspertët e një grupi pune të bashkisë Lushnjë, për verifikimin e një sipërfaqe toke.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. Q., 60 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka ndotur mjedisin, duke mbajtur bagëti në kushte të papërshtatshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. F., 34 vjeç, pasi dyshohet se, në subjektin ku është i punësuar si shofer, nuk ka bërë dorëzimin e lekëve të grumbulluara nga shitja e produkteve të kompanisë, duke i përvetësuar ato.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-arrestuan shtetasin N. B., 43 vjeç, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një 45-vjeçare duke i shkaktuar ankth dhe frikë;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
•A. B., 58 vjeç, pasi dyshohet se ka zënë në mënyrë të kundërligjshme një hapësirë publike, duke e shfrytëzuar si lokal;
•R. J., 68 vjeç, pasi dyshohet se ka zënë në mënyrë të kundërligjshme një hapësirë publike, duke e shfrytëzuar si parking automjetesh;
•G. T., 34 vjeç, pasi ka kanosur një 40-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 shpallën në kërkim shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar automjetin dhe, gjatë largimit, ka aksidentuar një automjet tjetër, vetëm me dëme materiale. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. T., 55 vjeç, pasi ka goditur me grushte shtetasin F. K.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. G. dhe D. V., pasi, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. K., 45 vjeç, pasi, për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin Xh. D.;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. L., G. B. dhe G. R., pasi, në Rrugën e Qelqit, shtetasit M. L. dhe G. B. kanë goditur me grushte shtetasin G. R., i cili, pas konfliktit, i ka dëmtuar automjetin shtetasit G. B.;
•shpallën në kërkim shtetasin S. Xh., 33 vjeç, pasi, nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash një 35-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasit:
•J. M., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij;
•G. Ll., 43 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
•arrestuan shtetasin B. D., 47 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. S., 40 vjeç, dhe K. G., 34 vjeçe, pasi automjetet që drejtonin janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë, janë dëmtuar tre pasagjerët në automjetin me drejtuese 34-vjeçaren, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
-Ditën e djeshme, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vetëvarur, shtetasi S. M., 56 vjeç, i punësuar si roje pranë një institucioni arsimor. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. LL., 66 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka falsifikuar një certifikatë pronësie.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin F. M., 46 vjeç, banues në fshatin Buçimas, pasi kishte penguar qarkullimin, me automjetin që kishte parkuar në vija të bardha, në lagjen nr. 1.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit P. J., 29 vjeç dhe Dh. J., 33 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një 39-vjeçar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen A. S., 64 vjeçe, banuese në fshatin Zvirinë, pasi me pretendimin se është e saja, ka pushtuar një sipërfaqe toke dyshohet në pronësi të një shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë,për veprime të mëtejshme.
Dje, dyshohet se si pasojë e një shkëndije në një shtyllë të tensionit elektrik, ka rënë zjarr në lagjen nr. 1, Korçë. Si pasojë është djegur një sipërfaqe toke. Materialet procedurale të rastit, iu referuan Prokurorisë, për ngjarje aksidentale.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Ungrej, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase 25 vjeçe;
-T. P., 59 vjeç, banues në fshatin Manati, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një shtetas 65 vjeç;
-P. T., 30 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike, ndaj ish të fejuarës së tij, banuese në Lezhë. Për 30-vjeçaren është plotësuar kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 54 vjeç, banues në fshatin Fushë Milot, Kurbin, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një shtetas 67 vjeç.
Dje, deklaroi shtetasja B. Ç., se mbrëmjen e datës 8 gusht, në një subjekt në aksin “Lezhë–Milot”, i ka humbur çanta me një shumë parash brenda. Punohet për verifikimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin E. B., 23 vjeç, banues në Itali, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Gj. V., banues në fshatin Mali i Jushit, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. P., 38 vjeç, banues në fshatin Shelqet, pasi dyshohet se në fshtatin Pistull, ka humbur kontrollin mbi motomjetin që e drejtonte pa leje dhe është rrëzuar. Si pasojë, ai është dëmtuar lehtë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. D., 27 vjeç dhe M. Rr., 35 vjeç, të dy banues në fshatin Juban, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur njëri-tjetrin, me grushte;
-G. V., 27 vjeç, banues në Shkodër, pasi në ambientet e lokalit që administrohet, është konstatuar muzikë, në tejkalim të orarit të lejuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. G., 19 vjeç, banues në fshatin Postribë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël Cannabisi.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ditën e djeshme, në fshatin Gomsiqe, dyshohet se si pasojë e amortizimit të rrjetit elektrik të fshatit, ka rënë zjarr. Nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. T., 38 vjeç dhe A. T., 18 vjeç, si dhe për një 17- vjeçar, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një 27-vjeçar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin S.L., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi në aksin e rrugës së Arbrit, u kap duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur.
Ditën e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Dibër, shtetasi Xh.D., i cili ka kallzuar se një person i panjohur e ka shqetësuar nëpërmjet telefonit. Punohet për identifikimin dhe vënin para përgjegjësisë ligjore të autorit të rastit.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Sarandë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 10:40, në vendin e quajtur “Shkallë”, Konispol, shtetasi K. A., rreth 45 vjeç, duke drejtuar motomjetin e tij, është përplasur me një tjetër motomjet, me drejtues shtetasin U. Ç., 74 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, shtetasi U. Ç. ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi tjetër, K. A., ka marrë dëmtime dhe po transportohet për në spital.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, në vendin e quajtur “Plazhi i Vjetër”, është gjetur pa shenja jete dyshohet si pasojë e një arresti kardiak, në det, një shtetas ende i paidentifikuar, i seksit mashkull, rreth moshës 70 vjeç.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e këtij shtetasi, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
DVP Berat
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 4 autorët e zjarrvënieve në lagjen “Uznovë” dhe në fshatrat Osmëzezë dhe Drenovicë.
Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa dhe sera, si dhe u dogjën sipërfaqe toke dhe pemë frutore.
*Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan shtetasit:
-Sh. D., 49 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në këtë lagje, ku si pasojë janë rrezikuar banesa dhe është djegur një sipërfaqe toke;
-Z. M., 56 vjeç, banues në fshatin Osmëzezë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në këtë fshat, ku si pasojë janë djegur sipërfaqe toke dhe pemë frutore në pronësi të 2 shtetasve.
*Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal arrestuan shtetasit S. M., 53 vjeç dhe L. B., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Samatic, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në fshatin Drenovicë, ku janë djegur pemë ulliri, si dhe është rrezikuar djegia e disa serave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë arrestuan në flagrancë shtetasin J. B., 22 vjeç, banues në fshatin Taç, Ersekë, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” që i ishte caktuar për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, në përfundim të veprimeve procedurale, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. J., 74 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi me automjetin që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte shtetasi B. B..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Memaliaj
Identifikohet dhe arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Iliras, nga i cili u dogjën territori i fshatit Koshtan, 3 banesa, 400 pemë frutore dhe mjedis pyjor.
Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër, DVP Fier dhe me zjarrfikësit, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar të fshatit Iliras, konkretisht në vendin e quajtur “Hams”, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe ato të Stacionit të Policisë Memaliaj mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit B. L., 62 vjeç, banues në këtë fshat.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën territori i fshatit Koshtan, sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa (aktualisht të pabanuara).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon sërisht, për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me pasoja penale.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.