DVP Vlorë
Parkoi automjetin në rrugë në mënyrë të parregullt, duke u bërë shkak për bllokimin e rrugëkalimit të një autoambulance, procedohet penalisht drejtuesi i mjetit.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe ato të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve/pronarëve të automjeteve që parkojnë gabim, duke sjellë problematika në lëvizjen e lirë të qytetarëve apo mjeteve të tjera, kanë ndërhyrë menjëherë pas një telefonate të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, nga shërbimi i autoambulancës, në lidhje me pamundësinë për të kaluar në një rrugëkalim të bllokuar në qytetin e Vlorës.
Konkretisht, në lagjen “Pavarësia”, u konstatua se një automjet tip “Nissan” ishte parkuar gabim dhe kishte bllokuar rrugëkalimin, duke penguar kalimin e autoambulancës, e cila ishte në një situatë emergjence. Pamjet nga ky rast u shpërndanë më vonë edhe në rrjetet sociale.
Menjëherë, automjeti në fjalë, së bashku me disa të tjera të parkuara në mënyrë të gabuar në këtë rrugëkalim, janë tërhequr me mjetin karrotrec drejt pikës së bllokimit, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të mjeteve, veçanërisht të atyre të emergjencës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve, kanë identifikuar drejtuesin e mjetit, shtetasin B. I., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.
Përveç procedimit penal, ndaj tij u vendos edhe masë administrative 3000 lekë, për shkelje të nenit 156 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe në përputhje me ligjin.