DVP Elbasan – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë

Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në përfundim të veprimeve të para hetimore arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Mosbindja ndaje urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publikë”, Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin: A. SH., 27 vjeç, banues në Gjirokastër.

Arrestimi i tij u bë, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar mjetin tip “Passat”, nuk i ka ndaluar shërbimeve të policisë Korçë, Pogradec, Librazhd dhe është larguar me shpejtësi të madhe në drejtim të qytetit të Elbasanit. Forcat “Shqiponjat”, ato të Patrullave të Përgjithshme dhe të Qarkullimit Rrugor, në hyrje të qytetit Elbasan, në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, ngritën pikë kontrolli. Drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet duke goditur makinën e Policisë dhe dy mjete të tjera. Si pasojë është plagosur jashtë rrezikut për jetën një punonjës policie, shtetasi E. A., 27 vjeç dhe 4 shtetas të tjerë.

—–

Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit.

Kapet duke transportuar 9 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 440 deri në 1000 euro për person, arrestohet në flagrancë transportuesi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që transportonte shtetas klandestinë nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan punën duke bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

• F. M., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi në unazën e qytetit të Gramshit u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin e tij, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 9 shtetas sirianë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Korçë, nëpërmjet kufirit jeshil nga shtetit grek.

Ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit që varionte 440-1000 euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, në drejtim të Kosovës.

Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

—–

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit:

D. B., 37 vjeç, banues në Elbasan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë rrugore duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

A. Z., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi.

——

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 43 vjeç, banues në Elbasan, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase.