Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Finalizohet operacioni i koduar “Bianco”. Kapet i kërkuari për disa vepra penale në shtetin grek. Në zbatimin e planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, Sektori i Hetimit të Krimeve, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në DVP Vlorë, ka finalizuar operacionin “Bianco”, mbi bazën e të cilit është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim B. M. (L.), 47 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në shtator të vitit 2019, pasi Prokuroria Vlorë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal nr. 196, datë 06.08.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, mbështetur edhe nga të dhënat e dërguara nga shteti grek dhe i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me dashje, kryer në bashkëpunim”, “Grabitje në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Përdorim i paligjshëm i armës”, “Zotërim dhe transportim i një sasie të madhe të lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi”, të parashikuara sipas Kodit Penal të shtetit grek. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Mjegulla”. Zbardhet ngjarja e ndodhur në Allias, Tiranë. Arrestohet njëri nga autorët e ngjarjes, si dhe shpallet në kërkim autori tjetër, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes. Grupi hetimor ka siguruar prova shkencore për autorësinë e kësaj ngjarjeje. Gjenden dhe sekuestrohen edhe dy armët e dyshuara të përdorura gjatë tentativës për grabitje, municion luftarak, maskë e sende të tjera. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 19.01.2020, rreth orës 21:35, në rrugën “Njazi Meka” Allias, në banesën e shtetasit P. L., ku dy shtetas të maskuar tentuan të vidhnin me armë sende me vlerë dhe për pasojë mbetën të plagosur rëndë të zotët e banesës, çifti P. L. dhe A. L., Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat çuan në zbardhjen dhe dokumentimin me prova shkencore të kësaj ngjarjeje. Bazuar mbi provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bëri të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Mjegulla”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit: F. M., 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit M. C., si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedent kriminal, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020. Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera. Vijon puna për kapjen e bashkautorit, i cili gjatë operacionit nuk është gjetur në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të dy shtetasve dhe “Armëmbajtja pa leje”, të cilat parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 35 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste: 3 në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 13 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 7 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin është evidentuar 1 rast aksidenti, me 1 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.