Komisariati Dixhital, 112-ta dhe adresa të tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, në dispozicion të qytetarëve, për të denoncuar paligjshmëri.

Krahas kontrolleve policore në terren, vijon bashkëpunimi me qytetaret, të cilët çdo ditë e më shumë adresojnë shqetësimet dhe ankesat e tyre, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, nëpërmjet Komisariatit Dixhital, në numrin e emergjencave 112 dhe adresa të tjera zyrtare të vëna në dispozicion nga Policia e Shtetit.

Në të gjithë vendin, gjatë kësaj jave, vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor janë denoncuar nga qytetarët 546 raste, për drejtues mjetesh që shkelin semaforin, që nuk u japin përparësi këmbësorëve në semafor apo në vendkalimin e tyre, drejtues mjetesh që nuk durojnë dot në radhë, por parakalojnë në mënyrë të gabuar duke u bërë shkak për trafik të rënduar dhe burim për aksidente rrugore, drejtues mjetesh që pushojnë mjetet mbi trotuare, në vendkalime këmbësoresh apo qëndrojnë në rresht të dytë dhe vende të tjera të rezervuara, duke shkaktuar shqetësime dhe konfuzion në trafik.

Duke vlerësuar shqetësimet dhe bashkëpunimin me qytetarët në funksion të rregullit dhe sigurisë, efektivet e Policisë Rrugore dhe ata të patrullave të përgjithshme në të gjithë vendin, kanë verifikuar dhe proceduar në çdo rast që janë konstatuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. vetëm përgjatë kësaj jave, falë bashkëpunimit me qytetarët dhe ankesave të tyre, janë verifikuar dhe proceduar administrativisht:

• 387 mjete për pushim dhe qëndrim të gabuar;

• 14 mjete për shkelje të semaforit;

• 92 mjete për parakalim dhe pozicionim të gabuar në zonën e kryqëzimit;

• 53 mjete për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve në vendkalimin e tyre.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e manifestuar dhe fton sërish cilindo që konstaton apo ndeshet me paligjshmëri, jo vetëm në fushën e qarkullimit rrugor, por për çdo veprim tjetër qe është i dënueshëm, të denoncojë në Komisariatin Dixhital, në numrin 112 e në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm ligjor.

#TëGjithëBashkëPërSigurinë
# DenoncoPaligjshmërinë
# KontribuoEdheTi