Elbasan – Vidhte makina luksoze në Elbasan dhe i çonte në Durrës, prangoset nga Policia Rrugore. Vihet në pranga pas 30 minutash ndjekjeje nga Policia Rrugore e Elbasanit, 30-vjeçari nga Durrësi.

Bllokohet mjeti me të cilin tentoi të largohej, pasi e kishte vjedhur në Elbasan.

30-vjeçari, autor i vjedhjes edhe të një tjetër mjeti në Elbasan, në ditët e para të këtij viti.

Policia Rrugore e Elbasanit, pas njoftimit të marrë se një mjet tip “Benz ML”, prodhim i fundit ishte vjedhur në Elbasan, tek Ura e Shkumbinit, ka organizuar patrullat që kryenin shërbim në akset rrugore dhe janë vënë në kërkim të mjetit, duke e konstatuar mjetin që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Bradasheshit, për t’u larguar në drejtim të Durrësit.

Patrullat e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë vënë në ndjekje dhe pas afro 30 minutash, në Bradashesh, njëra nga Patrullat e Policisë Rrugore bëri të mundur bllokimin e mjetit bashkë me personin që e kishte vjedhur.

Drejtuesi i mjetit, së bashku me mjetin janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për hetimin e krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

A. P., 30 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, në lagjen “Shënkoll”, në orët e mbrëmjes ka vjedhur mjetin tip “Benz ML”, në pronësi të shtetasit E. Ç.

Gjithashtu, nga veprimet e kryera nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, dyshohet se ky shtetas është autor edhe i vjedhjes së automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.M., banues në Elbasan, vjedhje e ndodhur në ditët e para të këtij viti.

Vijojnë veprimet në bashkëpunim me DVP Durrës e Tiranë, pasi ky shtetas dyshohet se ka vjedhur edhe disa mjete të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.