Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Altin Qato, inspektim në disa akse rrugore

Policia Rrugore

Me qëllim parandalimin e aksidenteve, Drejtoria e Policisë Rrugore, me strukturat në varësi, ka marrë një sërë masash, duke intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore.

Në funksion të shërbimeve të Policisë Rrugore janë vënë të gjitha mjetet inteligjente bashkëkohore, si mjetet shpejtësimatës, radarët, alkooltestuesit dhe kamerat.

Drejtori i Policisë Rrugore, gjatë një inspektimi të kryer në akset rrugore, për zbatimin e masave të marra, ka apeluar për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Altin Qato:

“Policia Rrugore në të gjithë vendin ka intensifikuar masat për kontrollin dhe monitorimin e të gjitha akseve rrugore. Nisur nga një numër ngjarjesh rrugore të ndodhur në periudhën e fundit, ne kemi bërë një përcaktim të “njollave të zeza”, me qëllim intensifikimin dhe monitorimin e këtyre akseve. Në dispozicion të shërbimeve të Policisë ne kemi vendosur të gjitha pajisjet dhe mjetet që kemi për kontrollin automatik të gjithë shkeljeve, qoftë të shpejtësisë, parakalimit, por edhe të shkeljeve të tjera të Kodit Rrugor.
Aktualisht jemi në rrugën e Arbrit, para tunelit të Murrizit, një aks i ri rrugor i hapur së fundi, ku ne si Polici Rrugore gjatë monitorimit kemi konstatuar shumë shkelje nga përdoruesit e rrugës.
Për këtë po bashkërendojmë dhe koordinojmë me Administratorin e Menaxhimit të Tunelit, për të shkëmbyer gjithë informacionin e duhur, me qëllim parandalimin e shkeljeve, pasi për vetë nga rëndësia e objektit e këtij aksi rrugor shkeljet këtu janë me pasoja më të rënda në qoftë se do ndodhin. Nga monitorimi që po i bëj me shërbimet tona policore konstatoj një tejkalim të normave të shpejtësisë dhe kryesisht në parakalime brenda në tunel, e cila është një shkelje tepër e rëndë dhe parashikohet nga neni 174 i Kodit Rrugor, pika 1, gërma a, e cila nuk ka me një parakalim të gabuar, por ka të bëj me një kalim në sens të kundërt ose kapërcim të trafikndarëses, e cila parashikohet me një masë të ashpër në Kodin Rrugor, që përveç masës administrative me vlerë financiare ka masë plotësuese tërheqjen e lejes së drejtimit 12 deri në 24 muaj, si dhe zbritjen e 15 pikëve.
Ne dhe në të ardhmen do vazhdojmë me intensitet të lartë monitorimin e akseve rrugore pasi jemi në fillim të sezonit turistik dhe presim një fluks të shtuar të përdoruesve të rrugës, qoftë shtetas shqiptar por edhe të huaj, që ka filluar të shtohet edhe këto ditë numri i mjeteve.

Dua t’i bëj një apel gjithë përdoruesve që të respektojnë gjithë normat e përdorimit të rrugës, të mos tejkalojnë normat e shpejtësisë, të shmangin parakalimet e gabuara, të mos drejtojnë mjetin në efektin e alkoolit, të mos përdorin celularin, drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskat mbrojtëse, gjithë drejtuesit e mjeteve të vendosin rripin e sigurimit sepse respektimi i të gjithë këtyre normave të parashikuara në Kodin Rrugor do të ketë rrugë më të sigurta dhe jetë të shpëtuara.
Njëkohësisht i bëj dhe një apel këmbësorëve, nisur dhe nga një numër i lartë ngjarjesh rrugore me pasojë me këmbësorë, përveç se ka përgjegjësi drejtuesi i mjetit dhe këmbësori të respektojë normat e përdorimit të rrugës duke kaluar karrexhatën nga një kah në kahun tjetër në vendin e përcaktuar për kalim dhe mos ta presin karrexhatën, pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin e tyre”.

Kontribuoni të gjithë për sigurinë rrugore! ✅