Goditet një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin.
Sekuestrohen armë zjarri, lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Në zbatim të një ndër prioriteteve, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta shitur, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të “Zheja”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. (K.) Rr, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike.
Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, në ngarkim të J. Rr. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ”, kryer në bashkëpunim, për shtetasin E. Rr.