Policia Kufitare në Qafë Botë, Sarandë, ka goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.
Sekuestrohen 36.3 kg kanabis në një automjet, vihet në pranga poseduesi.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në Pikat e Kalimit Kufitar dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të detajuar një automjet, ku dyshohej se mund të transportohej lëndë narkotike.
Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato doganore, duke përdorur edhe qenin antidrogë, në automjetin tip “Peugeot” është konstatuar se në pjesën e bagazhit ishte fshehur një sasi me lëndë narkotike, në një vend të hapur posaçërisht për fshehjen e saj.
Pas konstatimit, Policia Kufitare ka njoftuar grupin hetimor dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe pas kontrollit më të imtësishëm rezultoi se në mjet ishin fshehur gjithsej 36.3 kg lëndë narkotike, e dyshuar e llojit cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për hetimin e narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin E. K., 36 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në Sarandë.
Materialet do t’i referohen prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, e mbetur në tentativë”.