Në pranga dy shtetas, një tjetër shpallet në kërkim. Sekuestrohet një armë zjarri automatik. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes pas marrjes së njoftimit se në lagjen “11 Shkurti”, në Kuçovë, shtetasit R. Gj., 31 vjeç dhe Xh. D., 22 vjeç, për motive të dobëta po konfliktoheshin me shtetasin Xh. K., 25 vjeç.
Shërbimet e Policisë parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit duke neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë dy prej të rinjve, shtetasit R. Gj., 31 vjeç, dhe Xh. D., 22 vjeç, ndërkohë që shtetasi tjetër Xh. K., 25 vjeç arriti të largohej duke lënë në vendngjarje mjetin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e shtetasit Xh. K., shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Kanosja” e kryer në bashkëpunim.