Në pranga dy drejtues mjetesh, të cilët për t’i shpëtuar masës administrative, tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore.
Në funksion të patrullimeve në zona të ndryshme të Tiranës, rrugorët e kryeqytetit kanë ndaluar në rrugën “Ndre Mjeda” drejtuesin e mjetit me iniciale F. M., 58 vjeç, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë dhe gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizimit, ai i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.
Gjithashtu, në rrugën “Konferenca e Pezës” është ndaluar drejtuesi i mjetit me iniciale Xh. T., 21 vjeç, i cili i ka ofruar agjenti verifikues të qarkullimit një shumë lekësh, me qëllim mosvijimin e procedurave administrative ndaj tij.
Në të dy rastet, efektivët e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin e dy drejtuesve të mjeteve në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe janë bërë procedurat administrative për kundërvajtjet e konstatuara.