Raporti i ngjarjeve, 8 janar 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste. Janë vënë në pranga 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për krime ekonomike janë evidentuar 4 raste. Është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste. 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është ndaluar për një rast të mëparshëm në këtë fushë;

-2 raste të përndjekjes, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i thyerjes së masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i implikimit në prostitucion, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i prishjes së qetësisë publike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i vetëgjyqësisë dhe dhunimit të banesës, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i falsifikimit, krimeve kibernetike dhe korrupsionit pasiv, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.