Lushnjë
Përshtati lokalin e tij, në lagjen “Kongresi”, për vënie bastesh, me celularë, arrestohet 56-vjeçari.
Në pranga dhe 1 shtetas, si dhe në hetim 2 të tjerë, të cilët u kapën duke vënë baste, në ambientet e këtij lokali.
Gjithashtu, në hetim një 42-vjeçar që u kap në lokalin e tij, në lagjen “Savër”, duke vënë baste. Ai sapo pa Policinë, hodhi celularin ku kishte aktive faqen e basteve sportive.
Sekuestrohen 6 celularë.
Si rezultat i kontrolleve në lokale dhe ambiente të tjera, ku në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, Komisariati i Policisë Lushnjë arrestoi shtetasit F. T., 56 vjeç, V. P., 56 vjeç, si dhe referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. S., A. H., 59 vjeç dhe A. M., 42 vjeç.
Shtetasi A. M. u kap në lokalin e tij, në lagjen “Savër”, duke vënë baste sportive me celular. Me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës së këtij rasti, 42-vjeçari sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka hedhur celularin ku kishte aktive, faqen online të basteve. Pajisja u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.
4 shtetasit e tjerë u kapën në lokalin e shtetasit F. T., në lagjen “Kongresi”, duke kryer të njëjtën veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.