Policia Rrugore në të gjithë vendin, në zbatim të planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për marrjen e masave shtesë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festës së ndërrimit të viteve, ka hartuar një plan të detajuar masash, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në këtë kuadër, duke filluar nga sot, të gjitha akset rrugore kryesore të vendit do monitorohen me radar, me qëllim parandalimin e shpejtësisë, e cila është burim potencial për aksidente rrugore.
Po në këto akse do ketë edhe kontroll me alkooltestuesit drager, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Në gjithë akset rrugore, qoftë në zonat urbane apo ato rurale, do ketë prezencë të shtuar të Policisë Rrugore, me qëllim monitorimin e qarkullimit, eliminimin e vonesave për shkak të manovrave të gabuara në rrugë, kryesisht parakalimet e gabuara që bëhen shkas edhe për aksidente, por edhe për bllokim të qarkullimit.
Për natën e ndërrimit të viteve, Policia Rrugore ka marrë masa për të gjitha sheshet, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë së Rendit dhe me Policitë Bashkiake, me qëllim disiplinimin e qarkullimit dhe eliminimin e konfuzionit apo bllokimeve që mund të lindin.
Po në kuadër të këtyre masave, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 1 janar e në vijim do ketë kontrolle të shtuara duke përdorur alkooltestuesit drager, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Në të gjithë vendin, për shkak të festave të fundvitit kanë hyrë një numër i madh automjetesh, çka ka sjellë rëndim të qarkullimit e në këtë aspekt Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në të gjitha akset rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që për të realizuar qëllimet e tyre, të nisen më herët për të arritur në destinacion dhe të mos shpejtojnë duke shkelur rregullat e qarkullimit, të cilat janë burim aksidenti.
Të festojnë e të konsumojë edhe alkool, por jo drejtues mjeti. Drejtuesit e mjeteve në raste të konsumimit të alkoolit të përdorin mjetet e transportit publik, pasi do jenë nën kontroll të rreptë të Policisë Rrugore.
Njëkohësisht, apelojmë për të gjithë këmbësorët, biçikletistët dhe drejtuesit e motoçikletave, të tregojnë kujdes maksimal këto ditë e të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore uron gjithë qytetarët, gëzuar Vitin e Ri, një vit sa më të mbarë e sa më shumë siguri rrugore dhe në këtë kuadër fton gjithë qytetarët që të denoncojnë tek 112 dhe Komisariati Dixhital çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.