Korçë – Zbulohet një subjekt ku shiteshin lëndë piroteknike të kontrabanduara

Korçë/Nga kontrollet e shtuara në subjekte të ndryshme, Policia konstaton një subjekt ku shiteshin lëndë piroteknike të kontrabanduara.

Sekuestrohen dhjetëra fishekzjarrë dhe kapsolla. Procedohet penalisht pronarja e subjektit.

Në vijim të kontrolleve që ushtrojnë në subjekte të ndryshme, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, shërbimet e Policisë të DVP Korçë kanë konstatuar se në një subjekt në lagjen nr.8, shiteshin lëndë piroteknike. Nga verifikimet e kryera më tej rezultoi se lëndët piroteknike ishin të kontrabanduara dhe se fshiheshin të ardhurat e përfituara nga aktiviteti në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronaren e subjektit, shtetasen A. F., 40 vjeçe, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.