Tiranë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grab”.
Vodhi me dhunë një automjet, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, ditën e djeshme, pas informacionit të marrë se në bulevardin “Bajram Curri”, një shtetas kishte hyrë në një mobileri dhe në kërcënimin e një mjeti prerës, ka vjedhur çelësin e një automjeti i cili ishte i parkuar në hyrje të mobilerisë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i hetimeve të shpejta hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi I. L., 32 vjeç, banues në Durrës.
Ditën e djeshme, ky shtetas dyshohet se ka hyrë në një mobileri dhe në kërcënimin e një mjeti prerës, i ka vjedhur një shtetasi çelësin e automjetit të cilin e kishte parkuar në hyrje të mobilerisë. Automjeti u gjet i braktisur në rrugën “Babë Rexha” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.