Raporti i ngjarjeve, 5 dhjetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 107 shtetas, konkretisht: 40 shtetas janë vënë në pranga, 56 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste. Është ndaluar 1 shtetas, janë arrestuar 6 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar në flagrancë dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste. 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kibernetike. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

16 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për organizimi të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

1 shtetas është vënë në pranga për veprat penale “Përndjekja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

1 shtetas është shpallur në kërkim për veprat penale “Fyerja” dhe “Dhunimi i banesës”.

1 shtetase është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”.

1 shtetas është vënë në pranga, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Janë ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht:

1 për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;

1 për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim;

1 për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”;

2 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.