Tiranë/Arrestohen 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. K., 35 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit të automjetit që ky shtetas po drejtonte, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit:
– G. Q., 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Don Bosko”, në banesë, pas një debati për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë), vëllain e tij, shtetasin I. Q., 53 vjeç, banues në Tiranë. 53-vjeçari ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
– A. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Gjatë kontrollit fizik të 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis;
– F. P., 23 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka vjedhur një aparat celular dhe një shumë parash, në një parukeri në Rrugën e Durrësit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:
– G. D., 47 vjeç, dhe L. V., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ushtuar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre;
– N. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa arka plastike në një dyqan në Rrugën e Dibrës, të cilat më pas i ka shitur në një dyqan tjetër në rrugën “Xhanfize Keko”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin E. O., 39 vjeç, banues në Paskuqan, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
– A. H., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi në orën 17:30, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka aksidentuar këmbësoret shtetaset Z. K., 64 vjeçe, dhe Sh. K., 58 vjeçe, banuese në Kukës dhe Bathore. Si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti shtetasja Z. K., ka ndërruar jetë në spital, ndërsa shtetasja Sh. K., pas mjekimit në spital është larguar në banesë;
– E. H., 23 vjeç, banues në Texas, pasi në orën 22:00, në Bulevardin e Ri për në Paskuqan, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, me pasagjer shtetasin E. P., është përplasur me mjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin E. Sh., 34 vjeç, me pasagjere shtetasen A. N. Si pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerët të cilët ndodhen në spital në kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë.