Durrës – Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, pasi u kapën në flagrancë në 2 lokale, duke organizuar lojëra fati, me celularë

Durrës

Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, pasi u kapën në flagrancë në 2 lokale, duke organizuar lojëra fati, me celularë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në dy lokale, në lagjet nr. 14 dhe nr. 11 Durrës, organizoheshin lojëra fati (baste sportive).

Në vijim të veprimeve procedurale janë vënë në pranga shtetasit E. G., 35 vjeç dhe K. P., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, D. P., 28 vjeç dhe S. Sh., 29 vjeç, të dy banues në Kurbin, si dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. L., 31 vjeç, banues në Durrës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularët që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.