Tiranë/Arrestohen 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
– arrestuan shtetasin R. M., 19 vjeç, banues në Farkë, si dhe proceduan në gjendje të lirë 8 shtetas të tjerë, pasi janë kapur në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (poker), në ambientet e lokalit të shtetasit R. M. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një tavolinë pokeri me çipsa;
– ndaluan me iniciativë shtetasin Sh. P., 53 vjeç, banues në Baldushk, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 23-vjeçare;
– ndaluan shtetasin K. H., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Jurdiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin Xh. Xh., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë në rrugën “Ferit Xhajko”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasit A. F., 52 vjeç, dhe E. A., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe Vorë, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Gjithashtu, shtetasi E. A. ka kundërshtuar punonjësin e Policisë, gjatë shoqërimit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. M., 40 vjeç, banues në Kamëz, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
– Më datë 18.11.2024, rreth orës 19:45, në rrugën “Sami Frashëri”, ka ndërruar jetë në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi italian E. T., 66 vjeç.
– Më datë 18.11.2024, rreth orës 19:40, në fshatin Dritaz, Tapizë, dyshohet se është vetëvarur në banesë, shtetasi A. C., 49 vjeç.