Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në fshatin Mizë, Divjakë, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi S. N., 87 vjeç, informojmë se specialistët e Policisë Rrugore arrestuan shtetasen J. K., 39 vjeçe, banuese në fshatin Kryekuq, Divjakë, drejtuesja e automjetit që përplasi shtetasin S. N.
Gjithashtu, specialistët e Policisë Rrugore:
-arrestuan shtetasin A. Ç., 32 vjeç, banues në fshatin Fiershegan, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar në gjendje të dehur, një motomjet pa targa;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetas 17 vjeç, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targa, ka aksidentuar një automjet të parkuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë:
-arrestuan shtetasin M. V., 35 vjeç, banues në fshatin Gramsh, pasi dyshohet se ka vjedhur 2 frigoriferë në një dyqan. Frigoriferët u gjetën në banesën e shtetasit M. V. dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. H., 30 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.