Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Policia e Shtetit
Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike.
Operacioni, i kryer mbi bazën e inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH.
Sekuestrohen 3 thasë me lëndë narkotike cannabis sativa (gjithsej 30 kilogramë), 1 armë zjarri, 3 automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas (2 shtetasit që transportonin me automjet, lëndën narkotike, një shtetas që monitoronte rrugën ku do kalonte automjeti me lëndë narkotike dhe një shtetas tjetër që kishte në automjet një armë zjarri kallashnikov për ta shitur bashkë me lëndën narkotike).
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore në kuadër të operacionit policor të koduar “Monitorimi”, në aksin rrugor “Bënçë-Tepelenë”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit I. D., 54 vjeç dhe F. D., 19 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bënçë, pasi në automjetin me drejtues shtetasin I. D. dhe pasagjer shtetasin F. D., në urën e Bënçës, Tepelenë, u gjetën 3 thasë me rreth 30 kilogramë cannabis sativa.
Gjithashtu, u kap shtetasi M. M., 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMË”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kanë kapur dhe arrestuar edhe shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Veprimet procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan
I akuzuar nga autoritetet kosovare, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Elbasan dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin në Kosovë, 34-vjeçari.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u bë e mundur kapja në fshatin Papër dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar E. E., 34 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata Themelore e Pejës, me vendimin e datës 30.10.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare, për ekstradimin e 34-vjeçarit.
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Burimi”. Sekuestrohen 680 595 euro që dyshohet se rrjedhin nga krimi.
Fshehu paratë, në dyert e modifikuara të automjetit që drejtonte, me qëllim futjen e tyre ilegalisht në Shqipëri, arrestohet 51-vjeçari.
Sekuestrohen shuma e eurove, automjeti tip “Benz” dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”.
Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi L. N., 51 vjeç, banues në Fushë Milot.
Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Janë vënë në pranga 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, lëndëve shpëthyese ose municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre në Burrel, me autor/ë të paidentifikuar, për të cilin vijojnë hetimet. Për rastin tjetër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas. Për një rast të mëparshëm në këtë fushë, është ndaluar 1 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të falisifikimit, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të mëparshme, janë ndaluar 2 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste. 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shfrytëzimit të të miturve, për të lypur, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i krimeve kibernetike, me 1 shtetas të mitur të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Mashtrimi”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Vetëgjyqësia”, “Kallëzimi i rremë”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për raste të mëparshme, është ndaluar 1 shtetas për shkatërrim të pronës dhe 1 shtetas për krime ekonomike, ndërsa për 1 tjetër ka nisur procedimi në gjendje të lirë për vetëgjyqësi.
Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.