Në vijim të operacionit policor të koduar “Zereci”, zhvilluar në muajin korrik 2019, ndalohet një tjetër shtetas për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, nga hetimet e kryera në vijim të operacionit “Zereci”, zhvilluar në muajin korrik 2019, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, trafikimit të të miturve dhe armëmbajtjes pa leje, si rezultat i të cilit u arrestuan 7 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, kanë bërë të mundur dokumentimin e aktivitetit kriminal të një bashkëpunëtori tjetër të dyshuar të tyre, konkretisht të shtetasit A.Q., 37 vjeç, banues në Elbasan.
Shtetasi i mësipërm u ndalua pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Vijon puna për kapjen e shtetasit L.P., i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.