Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, vizitën e parë jashtë vendit, si Drejtor i Përgjithshëm, po e zhvillon në Policinë e Kosovës. Në takimin prezantues, Drejtor Proda u prit nga homologu i tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha.
Gjatë takimit, drejtorët Proda dhe Hoxha, të shoqëruar nga drejtues të lartë të policive respektive, diskutuan mbi mënyrat si mund t’i sinkronizojnë më shumë kontrollet dhe veprimet operacionale, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe garantimin e lëvizjes së sigurtë të shtetasve, mjeteve dhe mallrave.
Drejtorët theksuan se këto qëllime të përbashkëta, madhore, mund të arrihen vetëm nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit për shkëmbimin e menjëhershëm të informacioneve, me qëllim goditjen e grupeve kriminale të implikuar në trafiqe të paligjshme.
Më tej, drejtuesit e 2 policive u dakordësuan për eliminimin e burokracive në metodat e veprimit gjatë punës policore, si dhe për shtimin e hetimeve proaktive në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese në të dyja vendet, elemente të cilat do të mundësojnë finalizimin e një sërë operacionesh policore, kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Takimi u përmbyll me zotimin e 2 drejtorëve, për rritje të mëtejshme të bashkëpunimit në të ardhmen dhe për zgjerimin dhe në fusha të reja me interes të përbashkët.