Policia e Shtetit
Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 2 vjet më parë, në Vlorë, organizoi vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, 1 vit më parë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari akuzohet në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.