Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porositësi”
Morën porosi dhe dogjën dy automjete, identifikohen dhe vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të zjarrvënies.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim dhe porositësi për djegien e makinave.
Sekuestrohen veshjet dhe biçikleta e përdorur gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri automatik dhe një sasi lende narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera nën drejtimin Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së 30.10.2024, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuar dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porositësi”
Në kuadër të operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. S., 19 vjeç dhe K. S., 20 vjeç (vëllezër), të dyshuar si autorë të djegies së dy automjeteve.
Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Gj.P, 37 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si porositësi i djegies së automjeteve në pronësi të shtetasit S. H.
Gjatë kontrollit në banesën e dy vëllezërve, përveç veshjeve dhe biçikletës të përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arme zjarri automatike, një sasi lëndë narkotike kanabis. dhe 18 aparate celular.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin R. M., 29 vjeç, banues në Fier, pasi për motive të dobëta ka goditur me sende të forta xhaxhain e tij. Për këtë rast u arrestua edhe shtetasi M. M., 32 vjeç, pasi ka goditur me sende të forta vëllain e tij, shtetasin R. M.
Po nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. Sh., 48 vjeçe, banuese në Fier, pasi dyshohet ti ketë vjedhur celularin një shtetaseje.
Specialistët e Seksionit të Trafiqeve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. G., 55 vjeç, banues në Lushnjë, dhe A. K., 53 vjeç, banues në Fier, pasi automjetet në pronësi të këtyre shtetasve, rezultojnë të jenë të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në vendin tonë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. K., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka mashtruar shtetasin Sh. B., 62 vjeç, banues në Gjirokastër, duke mos i kryer pagesën për blerjen e një apartamenti.
Komisariati i Policisë Gjirokastër referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. C., 49 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka kanosur me fjalë, një 67-vjeçar, për motive të dobëta.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 42 vjeç, banues në Tepelenë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasi M. A., 32 vjeç, banues në Memaliaj. Si pasojë është dëmtuar lehtë pasagjerja shtetasja E. C., e cila pasi ka marrë ndihmë mjekësore, është larguar në banesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Mirditë
Finalizohet operacioni policor i koduar “THE END“, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Mirditë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe shërbimet operacionale të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Kapet dhe vihet në pranga një 29-vjeçar i kërkuar për krime kundër personit, armëmbajtje pa leje dhe kanosje për dhënie pasurie.
Në momentin e lokalizimit dhe kapjes, forcat operacionale i gjetën 29 vjeçarit një armë zjarri pistoletë me fishk në fole gati për qitje.
Në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, të nisur nga Komisariati i Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e grumbulluara përgjatë hetimit dhe inteligjencës policore, u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “THE END “, ku u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, (person me rrezikshmëri të lartë shoqërore) A. S. Alias A.N, 29 vjeç, banues në Dukagjin i Ri, Thumanë, Krujë, i dënuar më parë në shtetin Italian për vjedhje me armë. Ky shtetas po përgatitej për tu larguar në mbrëmje ilegalisht drejt Italisë.
Gjatë operacionit, në momentin e kapjes, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale këtij shtetasi i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 (një) armë zjarri pistoletë Bereta, me fishek në fole gati për qitje por nuk ka mundur dot të reagojë pasi ndërhyrja e shërbimeve të Policisë ka qenë e befasishme dhe e shpejtë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Mirditë për veprat penale të “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarakë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 15.10.2024.
29 vjecari në bashkëpunim me shtetasin K.B alias K.M, (i cili aktualisht ndodhet në Itali dhe është shpallur në kërkim) në ambientet e një subjekti privat (karburant), në rrugën e Kombit në Mirditë, kanë goditur me sende të forta dhe kanosur me armë zjarri për dhënie pasurie pronarin e këtij subjekti shtetasin A.Xh.
Gjithashtu ndaj shtetasit A. S., alias A.N, në shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg”, në mungesë, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” e ngelur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarri dhe municioneve luftarak”, pasi më datë 11.08.2024, në vendin e quajtur Dukagjin i Ri, Krujë, ku ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin udhëtonte një shtetase rumune.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
DVP Dibër
Specialistët e Qarkullimit Rrugor, arrestuan në flagrancë shtetasin R.K., 32 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Po këto shërbime, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Z.M., 67 vjeç, banues në Shupenzë, pasi duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar lehtë shtetasen A.M., e cila pas ndihmës së parë mjekësore, është larguar për në banesë.
Komisariati i Policisë Dibër, referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit S.T., 42 vjeç, dhe L.F., 31 vjeç, banues në Peshkopi, pasi për motive të dobëta janë konflikuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Komisariati i Policisë Bulqizë, referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P.L., 39 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u konstatua duke ngarkuar me inerte, automjetin e tij kamion.
Komisariati i Policisë Mat, referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E.S., 51 vjeç, banues në Klos, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Gjatë natës, në fshatin Viçisht, dyshohet se është vjedhur automjeti i shtetasit M.C. Vijojnë hetimet për dokumentimin dhe zbardhjen e këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Elbasan
Vodhi një sasi bakri në uzinën mekanike që administronte dhe bëri denoncim të rremë në Polici se shtetas të paidentifikuar kishin kryer vjedhjen, Policia vë në pranga 41-vjeçarin.
Sekuestrohen 115 kilogramë bakër që pas vjedhjes e kishte shitur në një subjekt për grumbullimin e metaleve.
Menjëherë pas njoftimit nga administratori i një uzine mekanike në Bradashesh, se në kabinën elektrike të këij subjekti, ishte vjedhur një sasi bakri, Komisariati i Policisë Elbasan kreu të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit.
Nga hetimet dyshohet se autor i vjedhjes së sasisë së bakrit është administratori i uzinës, shtetasi A. R., 41 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka telefonuar Policinë, për të njoftuar për vjedhjen nga shtetas të paidentifikuar, me qëllim fshehjen e të vërtetës.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u vu në pranga shtetasi A. R., si dhe u sekuestruan 115 kilogramë bakër që ai pas vjedhjes, i kishte shitur në një subjekt për grumbullimin e metaleve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
DVP Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan shtetasin Sh. Gj., 48 vjeç, banues në Tale, Lezhë, pasi ka goditur me sende të forta babanë e tij, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan shtetasin A. N., 36 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë, pasi ka bërë kallëzim bashkëshortja e tij, se ai ka ushtruar vazhdimisht dhunë ndaj saj.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. P., banues në Mirditë dhe N. V., banues në Lezhë, pasi janë kapur në aksin dytësor “Rubik-Rrëshen”, duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 198 shtetas, konkretisht: 47 shtetas janë vënë në pranga, 142 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 20 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit. 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të proceduar në gjendje.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 2 raste, me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijojnë hetimet.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 16 raste, 8 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 36 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 33 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 16 raste- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 18 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”. Njëri prej rasteve, me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 7 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me autor/ë të paidentifikuar;
-1 rast i veprave penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Dhunimi i banesës”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Fyerja”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përndjekja” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, është ndaluar
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilave 2 shtetas kanë humbur jetën dhe 8 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 43 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 17 shtetas janë vënë në pranga dhe 30 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.