Raporti i ngjarjeve, 1 nëntor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “GLK”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.

Vodhën një automjet, në një garazh në rrugën “Tre Dëshmorët”, në Yzberisht, arrestohen 3 shtetas.

Procedohet në gjendje të lirë një shtetas, për moskallëzim krimi, si dhe punohet për kapjen e një shtetasi tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të autorëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “GLK”.

Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit A. T., 27 vjeç, A. T., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe K. B., 33 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. T., 27 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, dhe po punohet për kapjen e shtetasit D. T.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se më datë 09.10.2024, shtetasi A. T., 27 vjeç, ka vjedhur një automjet tip “Benz”, në një garazh në rrugën “Tre Dëshmorët”, në Yzberisht. Shtetasi A. T., 29 vjeç, e ka shoqëruar me një automjet tjetër para, si dhe pas kryerjes së vjedhjes ka shoqëruar automjetin e vjedhur dhe kanë lëvizur të dy automjetet bashkë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi K. B., ka dashur që t’i shesë automjetin e vjedhur shtetasit A. T., i cili dhe pse ka patur dijeni që automjeti është i vjedhur, nuk e ka kallëzuar atë pranë organeve kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

DVP Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Several”, si rezultat i hetimeve për zbardhjen e disa rasteve të vjedhjes.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 33-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer 4 vjedhje dhe është konfliktuar fizikisht me një shtetas tjetër.

Sekuestrohen shuma parash, vegla pune dhe armë të ftohta, që u gjetën në banesën e 33-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Several”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera gjatë operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi G. H., 33 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas dyshohet se:

-më datë 29.08.2024, ka vjedhur vegla pune në një pallat në ndërtim, në lagjen nr. 1;

-më datë 11.10.2024, ka vjedhur kabllo elektrike, në një kantier ndërtimi, në lagjen nr. 4;

-më datë 17.10.2024, ka vjedhur një shumë parash (xhiron ditore), në një market në lagjen nr. 1;

-më datë 20.10.2024, ka vjedhur vegla pune në një banesë, në lagjen nr.17/1.

Gjithshtu, ky shtetas dyshohet se më datë 27.10.2024, në lagjen nr. 17/1, është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. T.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit G. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan shuma parash (euro dhe lekë), vegla pune, një mjet prerës (thikë) dhe një shkop bejsbolli.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Nuk iu bind Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin lëvizte, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, arrestohet 60-vjeçari.

Ai është i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një grupi kriminal për prodhim, shitje dhe trafikim narkotikësh.

Gjatë kontrolleve të bazuara te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, që kryhen në të gjithë territorin e qarkut, me qëllime goditjen e paligjshmërive dhe garantimin e sundimit të ligjit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit me të cilin lëvizte në lagjen “Shënkoll”, shtetasi F. D., 60 vjeç.

60-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen. Shërbimet iu vunë në ndjekje automjetit që drejtonte ai dhe si rezultat mundësuan kapjen dhe arrestimin e tij.

Për shtetasin F. D., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 13.05.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, për shtetasin A. M., 28 vjeç, pasi ditën e djeshme, në bulevardin “Zogu i Parë”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur shtetasin H. S., 63 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Komisariati i Policisë Shkodër ndaloi shtetasin E. Ç., 46 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte  shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste. Është ndaluar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomike. 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 1 shtetas është ndaluar dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve me funksione publike, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i krimeve kibernetike, për të cilin po kryhen hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësin/t;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prostitucioni”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për një rast të mëparshëm të veprës penale “Vetëgjyqësia”.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.