Raporti i ngjarjeve, 26,27,28 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Interpol Tirana/Vijon bashkëpunimi me homologët europianë, për ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Nga Shqipëria në Itali, ekstradohet një shtetas italian, i dënuar me mbi 6 vjet burgim, për shtrëngim për dhënie pasurie.

Nga Vjena në Shqipëri, ekstradohet një shtetas shqiptar, i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali dhe në Austri, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, në Itali, e shtetasit italian Renato Bonora, i dënuar në vitin 2014, nga Gjykata e Savonas, me 6 vjet e 8 muaj burgim, për shtrëngim për dhënie pasurie, si dhe për ekstradimin nga Vjena, në Shqipëri, të shtetasit N. A., 26 vjeç, i lindur në Bulqizë, i dënuar në vitin 2022, nga Gjykata e Elbasanit, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. 26-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet. Bashkëpunimi me homologët vijon.

Policia e Shtetit/Finalizohen 3 operacione të tjera, në bashkëpunim me partnerët europianë, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Greqi dhe në Itali, mbi vendndodhjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përkatësisht për llogari të autoriteteve gjyqësore në Gjirokastër, në Korçë dhe në Mat, policitë partnere finalizuan 3 operacione policore për kapjen dhe ndalimin e tyre.

Në kuadër të operacionit “Triplet” u arrestua nga policia greke, shtetasi A. M., 45 vjeç, i lindur në Memaliaj. Në vitin 2017, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Gjirokastrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vitin 2015, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, transportonte 100 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim trafikimin. Nga dënimi total, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.

Në kuadër të operacionit “Dënimi” , u arrestua nga policia greke, shtetasi E. D., 31 vjeç. Në vitin 2023, ai u dënua nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi total, 31-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 3 vjet e 8 muaj burgim.

Në kuadër të operacionit “Masa” u arrestua nga policia italiane, shtetasi N. K. alias N. T. alias A. K. alias A. K., 49 vjeç, i lindur në Mat. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai akuzohet se më datë 31.12.2021, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.  Gjatë kontrollit në banesë  Policia i gjeti  armë zjarri, lëndë plasëse  dhe municion luftarak.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Greqi dhe në Itali, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.

Elbasan

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, angazhim maksimal për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Texas Poker “.

Kishte përshtatur lokalin që e kishte marrë me qira, për organizimin e lojërave të fatit dhe për përdorim të lëndëve narkotike, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari.

Gjithashtu, vihen në pranga 9 shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë në lokal, duke organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin.

Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri, 2 valixhe me çipsa, 8 pako letra bixhozi, 11 aparate celulare, lëndë narkotike, 2 grirëse të kësaj lënde, suma parash (lekë, euro dhe paund), të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Texas Poker”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit B. S., 35 vjeç, banues në Elbasan (administrator i lokalit) për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, shtetasit P. O., F. Q., K. I., R. P., P. S., E. D., dhe I. R., për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, si dhe shtetasit Ç. Xh., dhe A. B., për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë këta shtetas, duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, në një lokal që e kishte marrë me qira shtetasi B. S., në fshatin Labinot fushë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri, 2 valixhe me çipsa, 8 pako letra bixhozi, 11 aparate celulare, lëndë narkotike, 2 grirëse të kësaj lënde, shuma parash në lekë, euro dhe paund të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shijak

U konfliktua për motive të dobëta me dy shtetas dhe i  kanosi me armë zjarri, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë  u kap dhe u vu  në pranga autori i dyshuar.

Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe automjetin me të cilin lëvizte autori.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak me marrjen e njoftimit se në aksin rrugor Gjepalaj-Shijak, kishte ndodhur një konflikt me armë mes disa shtetasve, menjëherë kanë organizuar punën për  kapjen e autorit.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme  kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar konkretisht, shtetasin F. C., 28 vjeç, banues në Shijak.

Gjatë veprimeve Policia ka gjetur armën e zjarrit të cilën ky shtetas e kishte hedhur  pas konfliktit si dhe automjetin me të cilin ky shtetas u largua nga vendi i ngjarjes.

Po nga hetimet rrezultoi se 28-vjeçari në aksin rrugor Gjepalaj-Shijak ishte  konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin E. Z., 29 vjeç dhe një 17-vjeçar. Pasi i ka kanosur me armë zjarri ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por u lokalizua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lezhë

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon përshkallëzimin e një rasti dhune në familje

Dhunoi bashkëshorten, si dhe mbante në banesë armë zjarri pistoletë, arrestohet në flagrancë  37-vjeçari.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë menjëherë pas njoftimit të marrë për një rast dhune në familje ku  bashkëshorti dhunonte bashkëshorten dhe mbante armë zjarri pa leje, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e  përshkallëzimit të dhunës dhe kapjen e autorit.

Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. G., 37 vjeç, banues në Lezhë.

Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, është kryer kontroll në banesën e shtetasit të arrestuar,  ku Policia  gjeti dhe sekuestroi  në cilësinë e provës materiale  armë zjarri pistoletë e municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve  luftarake dhe municionit”.

Tiranë/Vijon puna nga Komisariati i Policisë Nr. 3, për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes.

Dokumentohen me prova ligjore disa vjedhje monopatinash të kryera nga 3 të mitur, në zona të ndryshme të Tiranës.

Sekuestrohen 8 monopatina, të dyshuara të vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan në gjendje të lirë 3 të mitur për veprën penale “Vjedhja” kryer më shumë së njëherë, si dhe prindërit e tyre, shtetasit L. M., 46 vjeçe, M. M., 32 vjeçe, dhe H. G., 44 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal. 3 të miturit dyshohet se kanë vjedhur disa monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve të banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 8 monopatina të dyshuara të vjedhura.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Kukës

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kukës, operacioni policor i koduar “Reaction”.

Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje, në fshatin Arrën.

Arrestohet në flagrancë 60-vjeçari që ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes të tij, si dhe kanoste atë dhe fëmijët e tyre, me armë zjarri.

Sekuestrohen 3 armë zjarri dhe municion luftarak, që i posedonte 60-vjeçari, në banesë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas njoftimit se një shtetas ushtronte dhunë ndaj familjarëve të tij dhe i kanoste ata me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 60 vjeç, banues në fshatin Arrën.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S. dhe në vendin afër banesës, ku ai u kap në flagrancë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në fragrancë shtetasin B. K., 54 vjeç, banues në fshatin Jagodinë, pasi dyshohet se ka goditur me send të fortë, bashkëshorten e tij.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestoi në fragrancë shtetasin R. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kallëzuar një shtetas, se 43-vjeçari ka falsifikuar dokumente për të kaluar në pronësi të tij, një automjet që i dëmtuari ia kishte lënë me mirëbesim, në ruajtje.

Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasin S. K., 51 vjeç, banues në Elbasan, pasi dje, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, automjeti që ai e drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin R. Sh., 28 vjeç. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Komisariati i Policisë Cërrik referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. M., 31 vjeç, banues në Cërrik, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 23-vjeçar.

Komisariati i Policisë Librazhd referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. Xh., 32 vjeç, A. M., 36 vjeç dhe Xh. Xh., 28 vjeç, pasi dyshohet se duke qenë në efektin e alkoolit, kanë goditur me grushte, një 27-vjeçar.

Më datë 26.10.2024, ka kallëzuar shtetasja P. K., se kanë tentuar të vjedhin në dyqanin e saj, në lagjen “Vullnetari”, sepse në mëngjes ka gjetur të hapur qepenin. Nga hetimet e kryera dyshohet se autor është shtetasi E. B., 33 vjeç, banues në Elbasan, shtetas me precedent për vjedhje. Punohet për kapjen e tij.

Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, shtetasi A. B., 50 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, ka ndotur ajrin, duke djegur 2 goma automjeti, në fshatin Xhyrë. Punohet për ndalimin e 50-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Më datë 27.10.2024, shtetasi A. P., 30 vjeç, ka telefonuar Sallën Operative dhe ka kallëzuar se më datë 27.10.2024, shtetasit A. Gj. dhe A. Gj. (babë e bir), për shkak të konflikteve të mëparshme, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin ai lëvizte në fshatin Pllanë. Menjëherë pas telefonatës, janë kryer të gjitha veprimet procedurale, si: marrja e deklarimeve të 3 shtetasve të implikuar, kryerja e kontrolleve në banesat e tyre, këqyrja e automjetit të 30-vjeçarit dhe këqyrja e vendit të ngjarjes. Në përfundim të tyre ka rezultuar se: automjeti i 30-vjeçarit ishte i padëmtuar nga plumba, në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja, si dhe në banesat e 3 shtetasve të implikuar nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme për këtë rast, Komisariati i Policisë Lezhë ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, për shtetasit A. Gj., 56 vjeç dhe A. Gj., 22 vjeç.

Informacion shtesë/Në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në aksin “Lezhë-Milot”, në fshatin Spiten, ju informojmë se pas verifikimeve u identifikua shtetasi që humbi jetën si pasojë e këtij aksidenti, K. S., 41 vjeç, banues në fshatin Ishull Lezhë. Gjithashtu, u kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit që u përplas me automjetin që drejtonte 41-vjeçari, shtetasit A. R., 23 vjeç, banues në Shkodër. Aktualisht, 23-vjeçari, si pasojë e dëmtimeve nga aksidenti, është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Informacion paraprak/Rreth orës 07:30, Policia e Lezhës është njoftuar se është vjedhur me thyerje, një supermarket në fshatin Ishull Lezhë, objekt i cili monitorohej me sistem alarmi. Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se është vjedhur kasaforta e marketit, brenda së cilës ka qenë xhiroja e shitjeve gjatë ditëve të fundit. Menjëherë pas njoftimit, një grup i posaçëm hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku në drejtimin e prokurorit dhe me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe të rrethanave të këtij rasti, vijojnë të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, si: marrja e deklarimeve të punonjësve, këqyrja e kamerave, këqyrja e vendit të ngjarjes etj.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Sektori për Hetimin e Krimeve i DVKM Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin S. B., 49 vjeç, banues në Turqi, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, pasi në PKK Kapshticë, në hyrje, gjatë kontrollit në autobusin që ai drejtonte, u gjetën 7 pompa lavazhi, pa dokumentacionin përkatës.

Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet në Prokurori, pasi shtetasja J. K., 33 vjeçe, banuese në Korçë, ka tentuar të vetëvritet duke konsumuar një sasi medikamentesh, në banesë. Aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rezikut për jetën.

Gjithashtu, referoi materialet në Prokurori, pasi një shtetase 15 vjeçe, banuese në Burrel, ka tentuar të vetëvritet duke konsumuar një sasi medikamentesh, në ambientet e një hoteli. Aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rezikut për jetën.

Më datë 26.10.2024, në Komisariatin e Policisë Korçë, ka kallëzuar shtetasi A. Zh. se i kanë vjedhur targat e automjetit, në lagjen nr. 7, Korçë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, pasi shtetasi Gj. J., 39 vjeç, banues në fshatin Udënisht, ka tentuar të vetëvritet duke u varur me litar, në banesë. Aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Korçë/Informacion paraprak-Rreth orës 12:30, në lagjen nr. 8, automjeti me drejtues shtetasin E. B. ka përplasur një shtetas të mitur, i cili po merr mjekim dhe është jashtë rezikut për jetën. Shtetasi E. B. u shoqërua në komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 249 shtetas, konkretisht: 72 shtetas janë vënë në pranga, 163 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 26 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 34 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 9 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 13 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 3 raste, 2 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është shpallur në kërkim.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 21 raste, 7 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 10 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 27 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 15 raste. 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 27 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 10 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Dhunimi i banesës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Fyerja”, me 17 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”, të kryera në bashkëpunim, është kapur dhe ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 22 aksidente, si pasojë e të cilave 5 shtetas kanë humbur jetën dhe 21 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 48 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 24 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 26 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.