DVP Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Dozat”

DVP Fier

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dozat”, për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 24-vjeçari që shiste doza kanabisi në zona të ndryshme në qytet.

Sekuestrohen dhjetëra doza që iu gjetën 24-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, gjatë operacionit policor të koduar “Dozat”, kanë kapur në flagrancë dhe kanë vënë në pranga shtetasin B. V., 24 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.