Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Sektori për Hetimin e Narkotikëve kapi dhe ndaloi shtetasin A. P., 42 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Korçës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin L. R., 50 vjeç, banues në Korçë, pasi ka përndjekur ish-bashkëshorten e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje, dhe ka shkuar në banesën e saj, në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin U. Z., 56 vjeç, banues në Pogradec, pasi me vetëgjyqësi ka vendosur disa sende shtëpiake në banesën e një 62-vjeçari.

Në Komisariatin e Policisë Korçë është paraqitur shtetasja T. S., 64 vjeçe, banuese në Korçë, e cila ka kallëzuar se është larguar nga banesa vajza e saj. Po punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.