Raporti i ngjarjeve, 18 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor “Hidden money”.

Gjatë operacionit janë ndaluar 4 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, si dhe po punohet për kapjen e 3 të tjerëve.

Janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen kontrolle në 13 subjekte të ndryshme në Tiranë, Krujë dhe Durrës, të cilat e kryenin aktivitetin e tyre kryesisht online, duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore, si dhe duke futur mallra të dyshuara të kontabanduara, në RSh.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hidden money”.

Gjatë operacionit, janë ndaluar shtetasit F. Xh., 28 vjeç, banues në Tiranë, K. K., 27 vjeç, banues në Tiranë, Y. I., 45 vjeç, banues në Paskuqan, M. V., 32 vjeç, banues në Durrës, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, dhe E. M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë;

Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve L. F., 32 vjeç, banues në Kavajë, F. Q., 34 vjeçe, banuese në Durrës, dhe A. I., 47 vjeç, banues në Paskuqan.

Subjektet e lartpërmendura tregtonin mallra të ndryshme dhe kryenin aktivitetin e tyre kryesisht online, nëpërmjet rrjeteve sociale “Facebook”, “Instagram” dhe “Tik-Tok”, duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore, si dhe duke futur produkte kontrabandë, në RSh.

Nga përllogaritjet e strukturave të Hetimit Tatimor janë analizuar dërgesat e postës për secilin subjekt, duke i ndarë në vite dhe më pas janë krahasuar me deklarimet e kryera nga çdo subjekt, dhe krahasuar deklarimet në tatime me deklarimet në postë, rezulton një diferencë totale prej 1 500 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe celularët e shtetasve të proceduar.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Skrapar/Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Mollas”.

Sekuestrohen 6.4 kg Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.

Arrestohet në flagrancë 33-vjeçari që kishte prodhuar lëndën narkotike dhe mbante armën, pa leje, në banesë.

Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit dhe në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, finalizuan operacionin policor të koduar “Mollas”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi L. M., 33 vjeç, banues në fshatin Mollas.

Nga kontrollet, në afërsi të banesës së tij, janë gjetur 6.4 kg Cannabis Sativa, gati për shitje, ndërsa në banesë i është gjetur 1 armë zjarri pushkë me krehër dhe fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

U kap në flagrancë brenda banesës ku kishte hyrë për të vjedhur, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.

Sekuestrohet një kaçavidë, që iu gjet 24-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas ishte futur për të vjedhur në një banesë në rrugën “Çerçiz Topulli”, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në këtë adresë. Si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë brenda banesës, në tentativë për të vjedhur, shtetasin E. T., 24 vjeç, banues në Laç,Vau i Dejës.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 24-vjeçarit, një kaçavidë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Vodhën një motomjet dhe një karrocë për fëmijë, 2 ditë më parë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për plagosje të rëndë/prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Gjenden dhe sekuestrohen motomjeti dhe karroca.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas administrimit të dy kallëzimeve, për 2 raste të vjedhjes, në lagjen “5 Maji”, është organizuar puna dhe është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, shtetasve B. K., 28 vjeç dhe E. S., 35 vjeç, të dy banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, më datë 15.10.2024, në lagjen “5 Maji”, kanë vjedhur 1 motomjet, të cilin më pas e ka fshehur shtetasi E. S., si dhe një karrocë për fëmijë në një automjet, pasi kanë thyer xhamin e automjetit.

Motomjeti dhe karroca u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Vlorë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Parts 35”.

Arrestohet një 29-vjeçar që shpërndante doza kokaine, në qytetin e Vlorës.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë dhe dhjetëra doza të kësaj lënde.

Pas një hetimi të kryer bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë kanë finalizuar operacionin e koduar “Parts 35”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi V. F., 29 vjeç, banues në Fushë Dukat.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe dhjetëra doza të kësaj lënde, gati për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Korçë/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Përqindja”.

Kishte angazhuar një shtetas tjetër, për të shitur doza Kokaine, sepse vetë ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë krim, kapet jashtë banesës dhe vihet në pranga 24-vjeçari.

Në pranga dhe shtetasi tjetër. Në banesën e tij u gjetën sasi Kokaine e ndarë në doza, një bajonetë dhe një shkop gome, që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, për një rast të shitjes së dozave të Kokainës, në afërsi të ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë, në lagjen nr. 10., Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Përqindja”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit P. Sh., 60 vjeç dhe M. K., 24 vjeç.

24-vjeçari, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u kap jashtë banesës, në cenim të kësaj mase sigurie. Nga hetimet dyshohet se ai kishte angazhuar shtetasin P. Sh., për të shitur doza Kokaine. 60-vjeçari e kryente këtë veprimtari kriminale, në këmbim të një pjese të fitimeve të siguruara nga shitjet e dozave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 123 shtetas, konkretisht: 31 shtetas janë vënë në pranga, 79 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. Janë vënë në pranga 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike. 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për raste të tjera në këtë fushë, të goditura nga operacioni “Hidden money”, në Tiranë, janë arrestuar 4 shtetas, janë shpallur në kërkim 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të mëparshme, janë ndaluar 5 shtetas, identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 1 shtetas është ndaluar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kibernetike. Njëri rast me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, shpërdorimit të detyrave dhe trafikimit të mjeteve motorike, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Trafikimi i të miturve”, për të cilin vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësin/it;

-nga 1 rast i veprave penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, është ndaluar.

Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 13 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.