Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Kakavijë – Policia Kufitare godet një rast të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë. Fsheh mallrat në mjet me qëllim mospagimin e detyrimeve doganore, arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit. Në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bazë  të informacioneve të mara në rrugë operative se një autobus i linjës Athinë-Vlorë, në të cilin kishte dhe mallra të fshehura me qëllim mospagimin e detyrimit doganor, do të hynte në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet doganore kryen një kontroll në këtë mjet. Gjatë kryerjes së kontrollit, në pjesën e brendshme të autobusit, në një vend të përshtatur në pjesën e kondicionerit dhe në pjesën e tualetit u gjeten dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 63 steka cigaresh, si dhe në bagazhin e mjetit u gjetën dy valixhe me konfeksione, të cilat do të futeshin kontrabandë në vendin tonë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P. Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi B. L., 40 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit. Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”.

Tiranë – Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 27-vjeçari që posedonte lëndën narkotike. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike në formë çokollate, e dyshuar cannabis sativa, krehër, fishekë luftarakë, pajisje elektrike dhe ora dore. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se një shtetas posedonte lëndë narkotike cannabis sativa, kanë organizuar punën duke bërë identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar. Në bashkëpunim edhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. M., ku u gjetën 89 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme, një krehër, një pajisje elektrike dhe 4 ora dore. Kontrolli më tej ka vijuar në një parking në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Fadil Bodinaku”, ku është gjetur një sasi lende e dyshuar cannabis sativa, në formë çokollate, me peshë 18.2 gr., e cila së bashku me sendet e tjera të kundërligjshme u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 27 vjeç, banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit D. M.

Kukës – Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe për pasojë përplaset me një mjet tjetër, si dhe kundërshtoi dhe ofendoi oficerin e Policisë, arrestohet në flagrancë 34-vjeçari. Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin S. K., 34 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, Kukës. Arrestimi i tij u bë pasi, në qytetin e Kukësit, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen” është përplasur me një tjetër mjet tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin B. A., duke shkaktuar dëme materiale. Në momentin që oficeri i Policisë Rrugore i ka komunikuar që të mos lëvizë automjetin nga vendi i ngjarjes, shtetasi S. K. ka tentuar ta godasë me grusht, si dhe e ka ofenduar dhe sharë. Nga kontrolli i testit të alkoolit u konstatua se shtetasi S. K. ka drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në më mënyrë të parregullt”dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale për motive pronësie. Marrja në kohë e informacionit dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të Policisë të Komisariatit Nr. 6 parandaluan përshkallëzimin e një konflikti mes disa shtetasve. Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe bllokohet arma e gjahut me fishekë, të cilën njëri nga shtetasit e posedonte me leje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Fshatin Shesh, Ndroq po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa shtetasve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasit D. N., 45 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq dhe K. D., 27 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq. Arrestimi në flagrancë i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi, në fshatin Shesh, Ndroq, shtetasi D. N. për motive pronësie ka goditur me mjet të fortë (kazmë) shtetasin E. D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Konflikti midis shtetasve ka agravuar më tej nga djali i shtetasit të dëmtuar, i cili ka marrë një armë gjahu të mbushur me fishekë, të cilën e posedonte me leje dhe ka tentuar të qëllojë shtetasin D. N., në banesën e tij, por nuk mundi dot falë veprimeve të shpejta të Policisë. Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së gjahut me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krimin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të D. N dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”, në ngarkim të shtetasit K. D.

Tiranë – Hodhi fishekzjarrë në stadiumin “Air Albania” gjatë derbit Partizani-Tirana, identifikohet nga kamerat e sigurisë. Vihet në pranga  26-vjeçari për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitet sportive”. Në kuadër të masave të marra nga Policia e Tiranës, për garantimin e rendit dhe sigurisë  para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv që u zhvillua në “Air Albania Stadium”, mes ekipeve Partizani dhe Tirana, në lidhje me fishekzjarrët e hedhura në fushë gjatë ndeshjes, nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B, 26 vjeç, lindur dhe banues te “Bregu i lumit”, Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë sepse më datë 13.12.2019, rreth orës 19:10, ka hedhur fishekzjarrë  në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, në kohën që zhvillohej ndeshja e futbollit Partizani – Tirana. Ky shtetas u identifikua nga ana e Policisë nëpërmjet kamerave të sigurisë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitet sportive”. Gjithashtu, nga Komisariati i Policisë Nr. 1 vijojnë veprimet në bashkëpunim me Prokurorinë dhe stafin e menaxhimit të stadiumit, për të identifikuar dhe proceduar penalisht e administrativisht të gjithë ata tifozë që kanë dëmtuar stolat në tribunat e stadiumit dhe kanë hedhur fishekzjarrë gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 223 shtetas, konkretisht: 55 janë arrestuar, 19 janë ndalur dhe 149 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”; 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lire; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë due 2 raste të “Vrasja”.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 34 raste, 7 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 27 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste, me 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 15 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 15 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 13 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.