Karaburun, Vlorë
Shërbimet e Policisë Orikum, në bashkëpunim me shërbimet e Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë, i shkuan në ndihmë një turisti nga Franca, i cili kishte humbur rrugën në një zonë të pyllëzuar në Karaburun.
Pas marrjes së njoftimit nga salla operative rreth orës 15:30, shërbimet e Policisë Orikum krijuan menjëherë një grup pune dhe nisën kërkimet.
Rreth orës 19:30, në zonën e quajtur “Rushnje” në Karaburun, falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Stacionit të Policisë Orikum dhe atyre të ADZM Vlorë, u bë e mundur lokalizimi i turistit francez, në gjendje të mirë shëndetësore. Turisti falënderoi shërbimet për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar.
Policia e Vlorës garanton se është gjithmonë pranë qytetarëve dhe turistëve, gati për të ofruar ndihmë në çdo situatë emergjente. Për çdo rast të ngjashëm, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin pa pagesë 112.