Raporti i ngjarjeve, 10 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kus”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pushkë, 2 krëhra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 mjet prerës (thikë).

Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë dhe sende të tjera të jashtëligjshme në banesën e tij, në Kus, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kus”.

Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi B. M., banues në Kus, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 278/4 dhe 279 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. M., në fshatin Kus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, 2 krëhra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 mjet prerës (thikë).

Materialet i kaluan Prokurorisë.

DVP Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 46 vjeç, banues në Kodër Sukth, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 27 vjeç, banues në Mamurras, pasi duke drejtuar automjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi A. L., 62 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve. Shtetasi E. A. është larguar nga vendi i aksidentit, por është kapur më pas nga shërbimet e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Z., 49 vjeç dhe E. S., 40 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin Xh. R.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. S., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Komisariati i Policisë Berat arrestoi në flagrancë shtetasin L. H., 46 vjeç, banues në fshatin Goraj, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. B., 33 vjeç, banues në Poliçan, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël Cannabisi.

Stacioni i Policisë Dimal referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 48 vjeçe, banuese në Berat, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike keqdashëse, i ka prishur qetësinë përfaqësuesit të saj ligjor, shtetasit E. P., 60 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak

Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.

Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat.

Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast.

Pogradec

Plagosi me mjet prerës (thikë), fqinjin e tij, gjatë një konflikti të çastit, kapet në flagrancë dhe arrestohet 49-vjeçari.

I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal për krime kundër personit.

Sekuestrohet mjeti prerës i dyshuar i përdorur për plagosjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas njoftimit të marrë se në lagjen nr. 4  Pogradec, pas mesnate, po ndodhte një konflikt ndërmjet dy shtetasve, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, është kapur në flagrancë dhe është arrestuar shtetasi:

I. T., 49 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Ky shtetas ka precedent të mëparshëm, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Shtetasi I. T. dyshohet se gjatë një konfliktit të çastit për motive të dobëta, me shtetasin O. V., 37 vjeç, banues në Pogradec, e ka plagosur atë, me mjet prerës (thikë). 37-vjeçari po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe është jashtë rezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

-Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasit:

I. Z., vjeç, banues në fshatin Picar, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;

V. Ç., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi u konstatua në lagjen “18 Shtatori”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, banues në Gjirokastër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. S., 48 vjeçe, banuese në Gjirokastër, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e saj, janë gjetur 68 steka me cigare, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 64 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste- janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 2 prej te cilave me autorë të paidentifikuar. Për 3 rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas. 1 shtetas tjetër është ndaluar për një vjedhje të mëparshme.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë,.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”,”Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike, përkrahjes së autorit të krimit, shkatërrimit të rrjetit të ujësjellësit, prishjes së qetësisë publike dhe vrasjes me dashje të kafshës së shoqërimit, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, për një rast të mëparshëm falsifikimi.

Janë ndaluar:

-5 shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”;

-1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;

-1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.