Tiranë- Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë vënë në pranga 3 shtetas , për vepra të ndryshme penale.

Tentoi të transportonte kundrejt fitimit, 5 shtetas të huaj nga Maroku me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit me destinacion final vendet e BE-së, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari.

-Nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në D.V.P Tiranë u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” shtetasi: S. Ç.,23 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, pasi në rrugën “Sotir Kolea”, është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1 duke transportuar me automjetin e tij në mënyrë të paligjshme 5 shtetas të huaj Marokenë në drejtim drejt Shkodrës, me qëllim destinacionin final vendet e BE-së.

-Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasi A. K.,29 vjeç, banues në Paskuqan, Kamëz pasi në rrugën “Isuf Elezi” ka ushtruar dhunë fizike ndaj një punonjësi të Qarkullimit Rrugor.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u arrestua në flagrancë, për veprën penale “ Vjedhja”, shtetasi: L. R., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Aleksandër Moisiu” ka tentuar të vjedhë një automjet, dhe në momentin që shërbimet e Policisë të Komisariatit nr 4 janë afruar, ka tentuar të largohet duke lënë automjetin e tij i cili u bllokua së bashku me disa sende të automjetit të cilin tentoi të vidhte.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.