Raporti i ngjarjeve, 25 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 02:50, në fshatin Bardhaj, shtetasi N. L., 51 vjeç, (punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, i cili ishte jashtë orarit të shërbimit), duke drejtuar motomjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, si pasojë e motit të keq, dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal me ujë.

Shtetasin N. L. e ka marrë rrjedha e ujit dhe për pasojë ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, përgjatë orëve të mëngjesit, gjatë kontrollit të kanalit që të çon në lumin Kir, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 51-vjeçarit.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Kamëz/Informacion paraprak

Më datë 25.09.2024, rreth orës 07:50, në Valias, mjeti me drejtues shtetasin Sh. S., është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Y. L., 36 vjeç. Si pasojë e aksidentit drejtuesi i motomjetit ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

DVP Elbasan

Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, kundër armëmbajtjes pa leje, operacioni policor i koduar “Indiciet”.

Qarkullonin të armatosur me kallashnikov, arrestohen në flagrancë 2 shtetas me precedentë penal brenda ose jashtë vendit.

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, fishekë të saj dhe automjeti me të cilin qarkullonin të arrestuarit.

Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kundër armëmbajtjes pa leje, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Indiciet”. Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguara gjatë hetimit proaktiv, kanë ndaluar për kontrolle, në rrugën “Iliaz Kosova”, automjetin me drejtues shtetasin A. K., 32 vjeç (i dënuar më parë në Gjermani), dhe me pasagjer shtetasin R. S., 30 vjeç (me precedent për plagosje dhe për kundërshtim të punonjësve të Policisë).

Gjatë kontrolleve është gjetur nën sediljen e pasagjerit, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, që posedohej pa leje nga të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Exchange”.

Tentoi të merrte me forcë një shumë parash në kasën e një banke të nivelit të dytë por nuk mundi dhe gjatë largimit mori me dhunë në një exchange, 500 000 lekë, ndërhyrja në kohë e Policisë, bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, shuma e lekëve që ky shtetas mori me dhunë në exchange.

Shërbimet e Komsiariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte tentuar të merrte me dhunë, një shumë parash, në kasën e një banke të nivelit të dytë, në lagjen Nr. 3, Durrës, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë marrë njoftim se një shtetas kishte marrë me dhunë një shumë parash në lagjen Nr. 1, Durrës, dhe ishte larguar.

Falë mirorganizimit të punës, angazhimit të të gjitha shërbimeve policore, patrullës së përgjithshme, forcave “Shqiponja” dhe atyre operacionale, si dhe falë sigurimit të informacionit për autorin, pasi dyshohej se ishte i njëjti shtetas, u bë e mundur që në kuadër të operacionit policor të koduar “Exchange”, të identifikohej, kapej dhe vihej në pranga autori i dyshuar shtetasi F. D., 29 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e pamjeve filmike rezultoi se 29-vjeçari është autori i dyshuar i të dyja rasteve të tentativës dhe të marrjes me dhunë të shumës së parave në lagjen Nr. 1 dhe në lagjen Nr. 3, Durrës.

Në cilësinë e provës materiale, shërbimet e Policisë sekuestruan shumën e parave të marra me dhunë në exchange.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. M., banues ne Korçë, pasi në lagjen nr. 9, u kap duke ushtruar pa licencë, aktivitetin e këmbimit valutor. Në cilësinë e provës materiale, Policia i sekuestroi këtij shtetasi 150 000 lekë dhe 210 euro që përdoreshin për këtë aktivitet.

Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

  1. Xh., 38 vjeç, banues në fshatin Mëmël, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje;
  2. P., 50 vjeçe, banuese në fshatin Burimas, pasi dyshohet se për shkak të një konflikti për motive pronësie, ka dëmtuar disa pemë frutore në pronësi të një 66-vjeçari.
  3. R., 23 vjeç, banues në fshatin Shqitas, pasi në fshati Pirg, ky shtetas ka dalë nga automjeti që drejtonte, pa e siguruar atë, dhe si pasojë automjeti ka lëvizur dhe është përplasur tek ambientet e jashtme të një lokali. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. Për 1 rast të kultivimit të bimëve narkotike, autori/ët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas. 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomike, me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprimtarive kriminale në fushën e prostitucionit, me 2 shtetase të vëna në pranga dhe 11 shtetase të proceduara në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Fyerja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.