Raporti i ngjarjeve, 24 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Berat/Informacion paraprak

Rreth orës 06:00, në vendin e quajtur “Rruga e drejtë e Kuçovës”, automjeti me drejtues shtetasin A. K. është përplasur me mjetin bujqësor (frezë dore), në të cilën ndodheshin drejtuesi, shtetasi A. K., 81 vjeç, bashkëshortja e tij shtetasja S. K., 77 vjeçe dhe vajza e tyre, shtetasja F. B., 58 vjeçe.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit bujqësor, shtetasi A. K. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja F. K., kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa shtetasja F. B. ndodhet në spital, jahtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

DVP Tiranë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Escort”, pas një hetimi të kryer me metoda speciale.

Arrestohen në flagrancë një shtetase ruse dhe një shtetase ukrainase, të cilat shfrytëzonin për prostitucion, shtetase të huaja të reklamuara në faqen “Escort Tirana”, dhe më pas shumat e parave të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, ia transferonin organizatorëve të kësaj faqeje.

Procedohen penalisht 11 shtetase, për ushtrim prostitucioni.

Sekuestrohen shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e paligjshmërive në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit, kanë regjistruar një procedim penal të vitit 2023 dhe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Escort”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasja ukrainase A. T., 27 vjeçe, dhe shtetasja ruse E. M., 37 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostiucionit” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Këto dy shtetase janë kapur në flagrancë në  rrugën “Naim Frashëri”, duke marrë shuma parash, nga shtetase të huaja, të cilat dyshohet se i shfrytëzonin për prostitucion.

Gjatë verifikimeve të kryera ka rezultuar se këto shtetase mblidhnin shumat e parave të përfituara nga shtetaset e huaja që dyshohet se i shfrytëzonin për prostitucion, të cilat reklamoheshin në faqen “Escort Tirana”, dhe më pas këto shuma parash ia transferonin organizatorëve të kësaj faqeje, shtetas ende të paidentifikuar.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për 11 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni.

Më parë, gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, është finalizuar operacioni policor i koduar “Foreing”.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Trisha”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza.

Sekuestrohen doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike në rrugën “Petro Nini Luarasi”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Trisha”.

Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi H. H., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku nisi procedimi penal për shtetasit: E. M., 24 vjeç, dhe A. Sh., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Petro Nini Luarasi”, shtetasit E. M. dhe A. Sh., të cilëve gjatë kontrollit fizik iu kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta dy shtetas, lëndën narkotike ia kanë blerë shtetasit H. H.  Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit H. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

DVP Durrës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ngacmimi seksual”, shtetasit S. K., 40 vjeç dhe D. P., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Kryevidh, pasi mbrëmjen e djeshme, ka kallëzuar një shtetase 18 vjeçe, se këta 2 shtetas e kanë ngacmuar seksualisht, në një lokal.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë më të rritura”, mbetur në tentativë,  shtetasin I. B., 18 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme ka kallëzuar një shtetase australiane 21 vjeçe, se ky shtetas ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të metejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. H., 43 vjeç, banues në Fier, pasi në argjendarinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar bizhuteri të dyshuara të kontrabanduara.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. B., 26 vjeç, banues në fshatin Kolonjë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Sektori i Policisë Rrugore arrestoi shtetasin A. B., 30 vjeç, banues në fshatin Kallm, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-D. P., 29 vjeç, banues në Elbasan, pasi me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar lehtë një shtetas që lëvizte me biçikletë;

-D. Gj., 27 vjeç, banues në Divjakë, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe automjeti është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. P., 41 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë.

Komisariati i Policisë Lushnjë arrestoi shtetasit:

-L. S., 43 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje;

-T. P., 35 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe gjatë shoqërimit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Gjithashtu, Komisariati i Policisë Lushnjë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. C., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka goditur me send të fortë automjetin e një shtetasi, për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 4 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, është vënë në pranga 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastin tjetër janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas të mitur, ndërsa për 1 vjedhje të mëparshme është identifikuar dhe ndaluar autori i dyshuar, për të cilin ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, 2 prej të cilave me autorë të paidentifikuar. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 3 shtetas të vënë në pranga. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja për të mos kallëzuar” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë, me nga 1 shtetas të arrestuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Përndjekja” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

1 shtetas është kapur dhe ndaluar për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

1 shtetas është kapur dhe ndaluar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.